Nga Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut ka nisur një projektligj i cili ia kufizon të drejtën e faljes Presidentit të këtij vendi.

Në njoftimin e Ministrisë është bërë e ditur se projektligji e rregullon konceptin dhe llojet e faljes, efektin e faljes, personat e autorizuar për të paraqitur kërkesë për falje, si dhe procedurën dhe aktet e organeve kompetente lidhur me faljen.

“Një nga ndryshimet më domethënëse është se Presidenti mund të falë vetëm për dënim, e jo për ndjekje penale të personave të përmendur” , thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

“Risia e dytë e rëndësishme e parashikuar në Projektligj është krijimi i Komisionit në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, i cili përgatit një mendim me shkrim të arsyetuar për kërkesën, të cilin Ministria e Drejtësisë së bashku me raportin për kërkesën ia paraqet Presidentit”.

Me këtë vendim pritet të kapërcehen rreziqet e mundshme që lidhen me të drejtat diskrecionale të Ministrisë të Drejtësisë, sipas njoftimit të tyre.

Falja si procedurë është një nga kompetencat themelore kushtetuese të Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut e përcaktuar me nenin 84 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Falja gjendet edhe në nenin 114 të Kodit Penal, i cili rregullon çështjet materiale dhe juridike të faljes.

Kuadri ligjor që rregullon në detaje këtë çështje është krijuar për herë të parë në vitin 1993 dhe është ndryshuar dhe plotësuar dy herë në vitin 2009 dhe 2016.