Prokuroria dëgjon dëshmitarë të rinj në rastin e ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë këtë të hënë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këtë javë pritet të dëgjohen dy dëshmitarë me kodet 03170 dhe 04410, ndërsa dy të tjerë me kodet 04824 dhe 00992 mund të dëshmojnë me video-lidhje. […]
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë këtë të hënë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Këtë javë pritet të dëgjohen dy dëshmitarë me kodet 03170 dhe 04410, ndërsa dy të tjerë me kodet 04824 dhe 00992 mund të dëshmojnë me video-lidhje.
Gazetari Nuhi Bytyçi ka njoftuar se ka marrë ftesë për të dëshmuar gjatë ditëve në vijim, me dëshminë e tij e cila është e planifikuar të fillojë këtë të hënën, pasdite.
“Sipas njoftimit që më është dhënë, dëshmia ime fillon të hënën pasdite, më 3 qershor. Ashtu si edhe në vitin 2019, kur kam dhënë dëshminë time para Dhomave të Specializuara, për të cilën e kam njoftuar opinionin publik, edhe kësaj radhe kam shprehur gatishmërinë për të thënë të vërtetën e veprimtarisë sime si gazetar gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Bytyçi.
Bytyçi ka deklaruar se dëshmia e tij do të shërbejë për të vërtetën e luftës së UÇK-së dhe sakrificën e popullit të Kosovës.
“Prandaj, dëshmia ime në Hagë, ashtu si çdo herë do të jetë në shërbim të së vërtetës së luftës çlirimtare të UÇK-së, të argumentimit të sakrificës së luftëtarëve të lirisë dhe mbështetjes së popullatës civile dhënë UÇK-së, të cilën unë dhe shumë kolegë të mi gazetarë e kemi prezentuar në mënyrë profesionale në ekranet televizive në mediat vendore dhe ato ndërkombëtare gjatë periudhës së luftës çlirimtare”, ka thënë tutje ai.
Ndërsa, të enjten ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të 69-të të ZPS-së, e dëgjuar në sesion privat.















