Një “kontradiktë” është shfaqur mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore të Prishtinës pas një aksioni të gjerë policor për mbylljen e strukturave paralele serbe në disa komuna të Kosovës – gjë për të cilën u kritikua Qeveria nga ambasada amerikane.

Mbyllen institucionet paralele serbe në 10 komuna

Policia ka deklaruar se ka vepruar në përputhje me detyrat e saj zyrtare dhe ka realizuar operacione të koordinuara për ndërprerjen e aktiviteteve të jashtëligjshme që shërbenin si komuna, poste, banka dhe institucione të tjera.

“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, angazhohet për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në nivel vendi, përfshirë ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim.

Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.

Prokuroria: Nuk kemi autorizuar bastisjet për mbylljen e strukturave paralele serbe

Megjithatë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me një qëndrim, duke sqaruar se nuk ka lëshuar autorizime për këtë aksion.

Në një komunikatë për media, Prokuroria ka theksuar se nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga institucionet përkatëse për realizimin e kontrolleve dhe bastisjeve.

Sipas Prokurorisë, mungesa e një kërkese zyrtare dhe e procedurave të duhura të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale ka bërë që asnjë autorizim për aksionin të mos lëshohet. Prokuroria ka shtuar se, pa prova të mjaftueshme për të justifikuar dyshimin për kryerjen e veprave penale, veprimet e Policisë janë shkelje të procedurave ligjore.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë me qëllim të transparencës dhe sqarimit të opinionit publik, njofton se lidhur me rastin e kryerjes së kontrolleve dhe bastisjeve në disa lokacione për shkak të dyshimit se ekzistojnë struktura paralele, prokurori i shtetit sqaron opinionin publik se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, për shkak se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse, për çka edhe nuk është ofruar kurrfarë prove para prokurorit të shtetit për tu krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale që bie nën kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Prokurori i shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi. Prokurori i shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mos diskriminimit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim

Ndërkohë, ishte ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i pari që njoftoi përmes një postimi në Facebook se janë mbyllur komunat paralele serbe në disa lokacione të Kosovës, përfshirë Lipjanin, Obiliqin, Prishtinën, Fushë Kosovën, Vushtrrinë, Novobërdën, Kamenicën, Vitinë, Rahovecin, dhe Skënderajin.

“Me aksion të përbashkët mes MPB e PK si dhe MINT e MAPL, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës.

Sot janë mbyllur Komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale.

Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cënojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.