Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim për katër të arrestuar lidhur me laboratorin e drogës
Prokuroria Themelore e Prizrenit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka arrestuar një grup të dytë prej katër personash në kuadër të hetimeve për një laborator droge të zbuluar më 23 prill 2025. Të arrestuarit, nga data e papërcaktuar deri më 23 prill 2025, akuzohen për kultivimin […]
Prokuroria Themelore e Prizrenit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka arrestuar një grup të dytë prej katër personash në kuadër të hetimeve për një laborator droge të zbuluar më 23 prill 2025.
Të arrestuarit, nga data e papërcaktuar deri më 23 prill 2025, akuzohen për kultivimin e bimës “Kanabis Sativa” pa autorizim dhe krijimin e një laboratori të sofistikuar për prodhimin e narkotikëve.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit prej të pandehurve në Fushë Kosovë, janë gjetur dhe sekuestruar substanca narkotike të dyshuara, përfshirë kokainë dhe marihuanë, si dhe mjete të tjera të lidhura me aktivitetin e paligjshëm.
“Të pandehurit e arrestuar, nga data e pa vërtetuar dhe në vazhdimësi deri më datë 23.04.2025, në Prizren, pa autorizim dhe në bashkëkryerje, kultivojnë bimën “Kanabis Sativa”, me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope, në atë mënyrë që në një objekt të mbyllur krijojnë një laborator të brendshëm “In door”, të sofistikuar me pajisje përcjellëse si llampa për ndriçim artificial dhe ngrohje të bimëve të kanabisit, përdorin pesticide të ndryshme për kultivimin e bimëve narkotike, aspirator për nxjerrjen e aromës jashtë, matës të temperaturës dhe pajisje tjera shtesë, ku kultivojnë dhe rrisin 175 bimë të llojit “Kanabis Sativa”, të cilave u bëjnë tharjen dhe i përgatisin për shitje në treg. Me këto veprime në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, njëri nga të arrestuarit është akuzuar për blerjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve.
Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për katër të arrestuarit dhe ka lëshuar një urdhër të përkohshëm ndalues për sekuestrimin e dy objekteve banesore të lidhura me aktivitetin kriminal.















