Prokuroria ka intervistuar të dyshuarin e arrestuar për vrasjen e nënës së tij në Pejë, të premten.

Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar avokati mbrojtës i të dyshuarit, Asden Mekaj.

“Ajo që ndodhi sot është procedurë standarde në secilin rast, pra, Prokuroria kërkoi masën e paraburgimit, unë kundërshtova duke arsyetuar se klienti im duhet të shkojë në ekzaminim urgjent psikiatrik. Tani na mbetet ta presim vendimin e gjykatës”, ka thënë Mekaj.

Gjatë seancës, Mekaj është pajtuar që i dyshuari të mbahet në kushte të izolimit për siguri të tij dhe jo vetëm. Si legjitime e ka konsideruar edhe kërkesën e tij për testimin psikiatrik të të dyshuarit.

“Propozoj që të urdhëroni ekspertimin psikiatrik dhe tek atëherë t’i kthehemi vlerësimit të kërkesës dhe fakteve që përmban ajo. Kjo kërkesë mbështetet në ligj dhe Kushtetutë, dhe për më tepër i kontribuon drejtësisë në rastin konkret. Nuk po citoj normat që garantojnë një gjë të tillë, sepse Gjykata është në dijeni, por po ju parashtroj se kjo është nevojë urgjente dhe domosdoshmëri për një proces të rregullt dhe të drejtë. Deri në vlerësimin psikiatrik të klientit tim, unë pajtohem që ai të mbahet në kushte të izolimit pranë Institutit të Forensikës Psikiatrike, jo vetëm për ekzaminim, por edhe për shkak të sigurisë së tij dhe sigurisë së personave tjerë që mund të jenë në afërsi të tij”, ka deklaruar Mekaj gjatë seancës.

Të premten, prokurorja e rastit, Sahide Gashi, kishte njoftuar mbrëmë se i dyshuari nuk ka qenë në gjendje të flasë, dhe se të njëjtit do t’i merrej deklarata në prani të një psikologu.

Ndërkaq, gjatë të premtes, i dyshuari për vrasjen në Pejë është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit.

Lajmin për Dukagjinin e ka bërë të ditur Shkodran Nikçi nga Prokuroria Themelore në Pejë.

“Është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit. Gjatë afatit ligjor do të bëhen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, ka treguar Nikçi.

Gjatë të premtes, ky i fundit nuk ka dhënë përgjigje nëse të dyshuarit i është bërë kërkesa për paraburgim.