Pas rekomandimit për suspendimin e dy zyrtarëve policor nga Inspektorati Policor, të cilët po dyshohet se neglizhuan procedurat në trajtimin e rastit të vrasjes në Drenas, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje të tjera e ku ka përfshirë që në ngjarje u tentua edhe manipulimi i provave.
Siç bën të ditur Prokuroria, një person tashmë është arrestuar V.P., nën dyshimin për vrasje e manipulim me prova teksa në shtëpinë e vëllait të viktimës është gjetur dhe sekuestruar arma me të cilën është kryer vrasja, njofton Dukagjini.
“Në vendin e ngjarjes ka dalë Prokurori kujdestar së bashku me njësitë relevante të Policisë, të cilat gjatë hetimeve fillestare kanë konstatuar se ngjarja ka ndodhur në garazhin e shtëpisë së viktimës. Gjatë kontrollit, në vendngjarje janë gjetur dhe siguruar një (1) gëzhojë dhe një (1) fishek, ndërsa arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, një pistoletë e tipit “ZORAKI 917-T”, me numër serik A3YZR16YS01201411, është gjetur dhe sekuestruar në shtëpinë e vëllait të viktimës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas informacioneve fillestare, prokuroria ka njoftuar se viktima e rastit, R.Sh., ishte dërguar nga familjarët në QKMF Komoran, ku mjeku kujdestar kishte konstatuar se i njëjti ishte pa shenja jete.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është kryer bastisja e shtëpisë së viktimës, pasi që dyshohet se arma me të cilën është kryer vepra penale ishte në pronësi të viktimës.
Prokurori i Shtetit, brenda afateve ligjore, do të parashtrojë kërkesë në Gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.P.
Neglizhuan vrasjen e djeshme në Fushticë të Drenasit, IPK rekomandon suspendimin e dy policëve