Për veprimet që i bëri sa ishte deputet i Kuvendit të Kosovës para 8 vjetësh, tash ministri në detyrë i Punëve të Brendshme po vazhdon të ballafaqohet në gjykatë.
Megjithatë procesi për hedhjen e gazit lotësjellës në vitin 2018 tashmë është drejt fundit, meqë në seancën e së enjtes palët kanë paraqitur fjalët e tyre përfundimtare, para se trupit gjykues të shpallë vendimin.
Prokuroria ka kërkuar dënimin e Sveçlës, teksa ka renditur argumentet e vet, si dhe ka shpjeguar mënyrën se si kishte vepruar i njëjti në marsin e vitit 2018.
“Ka përdorur armë bombolën e gazit lotësjellës, me përmbajtje të agjentit kimik cs në mënyrë frikësuese ndaj deputetëve dhe personave të tjerë të pranishëm në sallë, ashtu që në disa raste gjatë asaj seance e ka aktivizuar bombolën dhe e ka hedhur brenda sallës së seancave plenare pa asnjë paralajmërim paraprak”, deklaroi prokurori, Avni Nimani.
Fajtor nuk e ndien vetën ministri në detyrë, ndërkohë që veprimin e quajti politik.
“Veprimi për të cilin sot ndodhem para jush ka qenë aktivitet politik me një qëllim të qartë kundërshtimin dhe përpjekjen për të parandaluar ratifikimin e marrëveshjes se demarkacionit me Malin e zi”, tha Sveçla.
Në fjalën e tij përfundimtare, ministri në detyrë foli më shumë për marrëveshjen me Malin e zi që e kishte kundërshtuar, duke e kritikuar edhe Prokurorinë për mos marrje të veprimeve ndaj atyre që votuan pro kësaj marrëveshje.
“Unë nuk po gjykohem për atë cfarë kam tentuar të bëjë konkretisht pengimin e atyre personave zyrtar që të falin tokë, e keqja është se aty isha i pasuksesshëm dhe mbi bazën e fakteve rrethanave konkrete mënyres së veprimit, dhe qëllimit real të veprimeve të mija kërkoj nga ju të merrni vendimin që nuk deformon historinë”, u shpreh Sveçla.
Shpallja e aktgjykimit ndaj Sveçles do të bëhet më 2 shtator, ndërkohë Prokuroria ka hequr dorë nga vepra penale “pengim i personit zyrtar” meqë e njëjta është parashkruar.