Prokuroria Themelore në Gjakovë ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj pesë personave të arrestuar pas një ahengu familjar në fshatin Rugovë të Gjakovës, ku pati të shtëna me armë zjarri.

Të dyshuarit me inicialet S.H., L.H., F.H., A.H., dhe Sh.H. janë ndaluar fillimisht për 48 orë dhe ndaj tyre tashmë ka nisur hetimi për disa vepra penale, të cilat përfshijnë përdorimin e armëve, rrezikim të përgjithshëm dhe manipulim me prova.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit S.H. dhe L.H. dyshohen për veprat penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Mbajtje e paautorizuar e armëve”, “Manipulim me prova” dhe “Moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Ndërkohë, F.H. dhe A.H. dyshohen për “Manipulim me prova” dhe “Moslajmërim të veprave penale”, ndërsa Sh.H. për “Mbajtje të paautorizuar të armëve”, “Përdorim të armës” dhe “Manipulim me prova”.

Ngjarja ka ndodhur më 31 maj, gjatë një ahengu familjar, ku sipas hetimeve, të pandehurit kanë përdorur armë zjarri, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e të tjerëve.