Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarve për vrasjen e policit Muhamed Lika, mbrojtja hedh poshtë motivet ideologjike

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj u mbajt seanca për gjashtë të dyshuarit për vrasjen e policit Muhamed Lika. Prokuroria kërkoi paraburgim, ndërsa mbrojtja mohoi përfshirjen e tyre dhe kërkoi arrest shtëpiak

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj është mbajtur seanca dëgjimore ndaj gjashtë personave të dyshuar për vrasjen e policit Muhamed Lika.

Të dyshuarit Haki Bela, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, Rilind Murati, Diamant Gashi dhe Vatan Çaka janë paraqitur para trupit gjykues, ndërsa Prokuroria Themelore ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për ta. Ndërkaq të miturit me inicialet R., B., i dyshuar kryesor për vrasjen, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh të hënën.

Një muaj paraburgim për të miturin që dyshohet se vrau rreshterin Lika në Kaçanik

Sipas Prokurorisë, më 1 prill 2025, në Kaçanik, të pandehurit dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje për të privuar nga jeta rreshterin e Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, pas përfundimit të orarit të punës së tij. Viktima është ndjekur deri te banesa e tij dhe aty është qëlluar për vdekje me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm.

Ndërkohë, mbrojtja e të dyshuarve ka hedhur poshtë akuzat, duke i konsideruar të pabazuara.

Avokati Musa Konxheli, përfaqësues i Rilind Muratit, ka deklaruar se klienti i tij është i pafajshëm dhe nuk ka lidhje me rastin.

Ai ka kërkuar arrest shtëpiak në vend të paraburgimit, duke theksuar se nuk ekziston asnjë grup i organizuar kriminal dhe se të gjithë të dyshuarit janë deklaruar të pafajshëm.

“Unë, si mbrojtës i Rilind Muratit, duke u bazuar në ato prova që deri tash i kemi, konsiderojmë që klienti im nuk është i përfshirë fare në këtë vepër. Klienti im kategorikisht e refuzon që në çfarëdo forme të jetë i përfshirë në këtë vepër penale. Ne po konsiderojmë se nuk ka pasur fare grup për organizimin e kësaj vrasjeje. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm. Ne kërkuam masën e arrestit shtëpiak”, ka thënë Konxheli.

Pas seancës, edhe avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, përfaqësuese ligjore e të dyshuarit Diamant Gashi, ka dalë me deklaratë publike duke kërkuar nga Prokuroria që të sqarojë raportimet që pretendojnë se rasti ka prapavijë ideologjike ose fetare.

““Ajo çka mund të them për juve dhe opinionin publik në këtë fazë, është se kërkova nga prokurori i çështjes dhe kryeprokurori i Ferizajt, Burim Çerkini, të dalin edhe njëherë dhe të japin sqarim se kjo vrasje askund nuk është përmend në kërkesën për paraburgim si e lidhur me çështje ideologjike, fetare apo islamiste, siç po e përdorin disa media”, ka thënë avokatja.

Ajo theksoi se në këtë fazë është e rëndësishme të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë dhe të shmangen etiketimet paragjykuese ndaj familjeve të të dyshuarve.

Gjykata pritet të marrë së shpejti vendimin për masën e sigurisë ndaj të dyshuarve, të cilët po hetohen për veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” me “Pearson” mbajtën trajnim për qindra mësimdhënës të Gjuhës...

Shtëpia botuese “Dukagjini” në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Pearson” mbajti të shtunën trajnim njëditor në Prishtinë, për qindra mësimdhënës të gjuhës angleze me temën...

Promovohet libri “Libri im i kujtimeve” nga autori Rafet Rudi

“Libri im i Kujtimeve” ka titullin libri më i ri i autorit Rafet Rudi, të cilin ai e promovoi në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”.Në...

Osmani nis vizitën e parë shtetërore në Zvicër: Po shkruajmë...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur vizitën e saj të parë shtetërore në Zvicër, e cila po zhvillohet në rezidencën zyrtare...

Të fundit nga rubrika