Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për katër persona të arrestuar, të dyshuar për vepra të rënda penale që lidhen me detyrimin, armëmbajtjen pa leje dhe shmangien nga tatimi.

Të dyshuarit L.S., Xh.S., N.K. dhe R.P., dyshohet se gjatë muajve nëntor – dhjetor 2024 kanë ushtruar kanosje serioze ndaj një qytetari për ta detyruar të heqë dorë nga prona e tij në fshatin Lubizhdë të Prizrenit, në dobi të të dyshuarit R.P.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-drejtori i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqit, aktualisht zyrtar policor.

Prona, me vlerë reale rreth 400-500 mijë euro, thuhet se është blerë nga R.P. për vetëm 250 mijë euro, pas presionit ndaj pronarit.

Sipas Prokurorisë, paratë e kësaj blerjeje janë ndarë në mënyrë të dyshimtë mes të dyshuarve, përfshirë 10 mijë euro për N.K. dhe 20 mijë euro për L.S. e Xh.S.

Përveç kësaj, L.S., N.K. dhe R.P. dyshohet se kanë pasur armë pa leje, përfshirë dy pistoleta, dy pushkë ajrore, një elektroshok dhe një sasi të konsiderueshme fishekësh.

Ndërkohë, R.P. akuzohet edhe për shmangie nga tatimi në vlerë prej 130 mijë eurosh, pasi nuk ka deklaruar qarkullimin real në Administratën Tatimore të Kosovës gjatë blerjes së paluajtshmërisë.

Sekuestrime dhe masa të ndërmarra

Gjatë bastisjeve, Prokuroria ka sekuestruar: 8,850 euro para të gatshme, 126,997 euro në xhirollogari të ngrira, një parcelë toke prej 58.7 ari, armë dhe fishekë, 6 telefona mobil dhe dokumente që do të përdoren si prova materiale.

Prokuroria e Prizrenit ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin.