Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar paraburgim për një zyrtar policor, i cili dyshohet për keqtrajtim të një qytetari, të cilin e kishte gjobitur për parkim të palejuar.

Ngjarja ka ndodhur më 14 qershor në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren.

Sipas hetimeve, i pandehuri R.P., një polic, duke vepruar me kolegun N.B., dyshohet se ka keqtrajtuar qytetarin S.F.

Fillimisht, ata i vunë gjobë për parkim të palejuar. S.F. u shfaq nga një kafene aty pranë dhe e hodhi gjobën në tokë.

Pas kësaj, policët kërkuan dokumentet e identifikimit, por pasi ai nuk iu bind, ata tentuan ta arrestonin. Gjatë tentativës për arrestim, S.F. ka rezistuar, dhe në një moment, policët e kanë rrëzuar.

Kur S.F. ishte shtrirë në tokë, polici R.P. dyshohet se e ka goditur disa herë në kokë, pranë syrit dhe veshit, duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Gjatë përpjekjes për arrestim, i dëmtuari ka rezistuar, dhe në një moment, i pandehuri i ka vendosur këmbën të dëmtuarit me qëllim të neutralizimit të rezistencës së tij, me ç’rast kolegu i tij, zyrtari policor N.B., është rrëzuar së bashku me të dëmtuarin, duke rënë mbi të. Ndërsa i dëmtuari ndodhej në pozitë të shtrirë përtokë, dhe gjatë tentativës për ta vënë nën kontroll, i pandehuri e ka goditur disa herë me grushte në pjesën e kokës, përkatësisht në zonën e syrit dhe të veshit të majtë, duke i shkaktuar lëndime trupore. Me këto veprime, R.P., ka kryer veprat penale të lartëcekura”, thuhet në njoftim.

Një ditë më parë, Inspektorati Policor ka njoftuar se polici është suspenduar.