Prokuroria Themelore në Mitrovicën e Veriut ka ftuar për intervistim pesë zyrtarë të lartë të Listës Serbe, nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve komunale.
Sipas njoftimit të bërë publik nga Lista Serbe, për intervistim janë ftuar Igor Simiq, Ivan Zaporozhac, Ivan Todosijeviq, Zoran Todiq dhe Vasilije Tomasheviq.
Lista Serbe ka reaguar ndaj veprimit të Prokurorisë, duke kundërshtuar ftesat për intervistim të zyrtarëve të saj.
Në një komunikatë, ky subjekt politik ka pretenduar se veprimi i institucioneve të drejtësisë është pjesë e një presioni më të gjerë ndaj komunitetit serb në Kosovë.
“Kjo përbën pjesë të një plani më të gjerë të drejtuar ndaj përndjekjes së popullit serb dhe vazhdimit të presionit institucional ndaj të gjithë atyre që qëndrojnë pranë popullit të tyre dhe mbrojnë të drejtën për mbijetesën e tij”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.