Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka pranuar informacione dhe një video-incizim, mbi bazën e të cilave ekzistojnë dyshime për ndotje të ajrit përmes tymit që po shkaktohet nga oxhaku në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në Komunën e Obiliqit.
Siç bëhet e ditur në njoftim, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të verifikimit dhe sigurimit të provave relevante, njofton Dukagjini.
Rasti është duke u trajtuar në drejtim të veprës penale ‘’Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’’, sipas nenit 338 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.