Prokuroria njofton për përfundimin e aksionit, polici i dyshuar për spiunazh ndalohet për 48 orë
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka përfunduar me sukses operacioni i nisur mëngjesin e së enjtes, që rezultoi me arrestimin e një togeri policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “spiunazh”. I dyshuari, i identifikuar Bojan Jevtiq, është ndaluar për 48 orë pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Inspektoratin Policor […]
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka përfunduar me sukses operacioni i nisur mëngjesin e së enjtes, që rezultoi me arrestimin e një togeri policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “spiunazh”.
I dyshuari, i identifikuar Bojan Jevtiq, është ndaluar për 48 orë pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Sipas njoftimit, gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të komunës së Kamenicës, janë sekuestruar prova materiale që përfshijnë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, USB, një armë e shkurtër me municion, si dhe para të gatshme në vlera të ndryshme: 10,000 euro, 2 milionë denarë serbë dhe 600 franga zvicerane.
IPK ka rekomanduar suspendimin e togerit policor, i cili ka ushtruar detyrën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikëkalimin “Dheu i Bardhë”.
Prokuroria ka bërë të ditur se, në përputhje me afatet ligjore të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.















