Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 26 gusht, rreth orës 01:30, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ekipet e krim-teknikës dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
“Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i dyshuari, B.D., dyshohet se ka privuar nga jeta gruan e tij, duke ushtruar dhunë fizike, dhe se rasti ka ndodhur brenda familjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në IML për obduksion.
I dyshuari B.D. është ndaluar për 48 orë, me vendim të prokurorit të shtetit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke vazhduar hetimet për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Sipas Policisë, në bazë të evidencave të deritanishme, çifti nuk kishte pasur raste të mëhershme të dhunës të raportuara.
Dyshohet se burri vret gruan në Prizren, arrestohet 81-vjeçari