Prokuroria rrëzon kallëzimin penal ndaj Ramës: Sabotimi politik dështoi edhe njëherë
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka hedhur poshtë kallëzimin penal të ngritur ndaj tij dhe Kryeshefit të Ndërmarrjes Publike Lokale “SportMarketing”, Bardh Krasniqi, në lidhje me organizimin e aktiviteteve sezonale “Akull n’verë dhe Verë n’dimër”. Kallëzimi ishte dorëzuar nga Ministri i Administrimit të Pushtetit […]
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka hedhur poshtë kallëzimin penal të ngritur ndaj tij dhe Kryeshefit të Ndërmarrjes Publike Lokale “SportMarketing”, Bardh Krasniqi, në lidhje me organizimin e aktiviteteve sezonale “Akull n’verë dhe Verë n’dimër”.
Kallëzimi ishte dorëzuar nga Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, por është vlerësuar si i pabazë nga Prokuroria dhe është refuzuar në tërësi.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama e ka cilësuar këtë si një përpjekje të dështuar politike për të ndalur jetën kulturore dhe aktivitetet që zhvillohen në kryeqytet.
“Tentativat për të bllokuar çdo të mirë që bëhet në Kryeqytet janë bërë të përsëritura dhe gjithnjë e më transparente në motivet e tyre.
Përpjekja e Qeverisë për të diskredituar atmosferën festive që me përkushtim u krijua për festat e fundvitit – u RRËZUA sot nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes një AKTVENDIMI të qartë dhe të argumentuar!
Kallëzimi penal i ngritur nga Ministri i MAPL, Elbert Krasniqi, ndaj Kryetarit të Kryeqytetit Përparim Rama dhe Kryeshefit të NPL “SportMarketing”, Bardh Krasniqi, në lidhje me procedurat e organizimit të tregut veror dhe dimëror “Akull n’verë dhe Verë n’dimër”, u vlerësua si i pabazë dhe u hodh poshtë në tërësi.
Këto përpjekje të organizuara përmes instrumenteve të drejtësisë, të shtyra nga motive të qarta politike, nuk po arrijnë të prodhojnë efektin që synohet – sepse po përplasen me fakte, me profesionalizëm institucional dhe me vlerësimin objektiv të drejtësisë.
Në një kohë kur Kryeqyteti po ecën me projekte konkrete e me vizion të qartë zhvillimi, tentativa për ta ndalur këtë hov me akuza të fabrikuara nuk është vetëm e dështuar, por edhe dëshpëruese.
Veçanërisht kur kjo vjen nga një pushtet qendror që REFUZON të përballet me DREJTËSINË për shkeljet e VETA dhe ndërkohë shfrytëzon mjetet publike për të ndërtuar narrativa politike ndaj institucioneve lokale.
Kjo është një përballje mes dy qasjeve:
njëra që ndërton dhe i shërben qytetarit dhe tjetra që
bllokon e saboton.
Por drejtësia po e thotë fjalën e saj, qytetarët po e shohin realitetin – dhe Kryeqyteti nuk ndalet”, ka shkruar Rama në Facebook.















