Hetuesit janë kthyer sërish në zyrat e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe agjencitë vartëse të saj.

Pas disa ore bastisjesh, hetuesit e policisë, vetëm duarthatë nuk dolën nga aty.

Aty u shfaq edhe prokurori i Prokurorisë Speciale, Admir Shala, që tregoi edhe arsyet e bastisjes.

Prokuroria Speciale e ka filluar një hetim lidhur me dhënien ne shfrytëzim të fabrikës të përpunimit e nënprodukteve shtazore. Hetimi është duke u zhvilluar lidhur me dyshimet për dhënien me qera të kësaj fabrike. Jemi në fazën e hetimit. Jemi duke i zhvilluar bastisjet dhe kontrollet në bazë të urdhrit të gjykatësit në Themelore në Prishtinë me kërkesë të Prokurorisë Speciale”, deklaroi prokurori Shala.

Duke u rezervuar në detaje, Shala bëri të ditura edhe katër lokacionet e tjera që u bastisën.

…. u bastisën Agjensia për Zhvillim Bujqësor, AUV dhe lokacioni i kompanisë fituese, përfundoi Shala.

Gjatë kohës që zhvillohej bastisja, Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci ishte duke marrë pjesë në seancën e kuvendit gjersa më pas, vendosi të shmangte gazetarët duke përdorur daljet dytësore.

Megjithatë, një reagim zyrtar e lëshoi vet ministria.

Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies.

Aksioni vjen pas raportimeve për parregullsi me mënyrën e dhënies me qira të fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore, kontratën e nënshkruar nga Peci në janar në këtij viti e në të cilën, u raportua se pjesë bënte edhe një kompani serbe.