Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi të dyshuar për përfshirje në vepra penale që lidhen me terrorizmin.

I pandehuri, i identifikuar si K.H., akuzohet për veprën penale “fshehja ose moslajmërimi i terroristëve dhe grupeve terroriste.”

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit K.H, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Fshehja ose moslajmërimi i terroristëve dhe grupeve terroriste’’ nga neni 142 paragrafi 2 lidhur me nenin 385 paragrafi 2 nën paragrafi 2.4 të KPRK –së”, thuhet në njoftim.

Sipas aktakuzës, K.H. dyshohet se ka pasur takime dhe ka zhvilluar biseda të vazhdueshme me të dënuarit V.I., B.I., L.V., F.G., K.P., A.A., L.G., L.M., dhe B.P., të cilët kishin planifikuar një sulm terrorist ndaj lojtarëve të kombëtares izraelite gjatë ndeshjes së tyre kundër Shqipërisë në nëntor të vitit 2016.

Prokuroria thekson se K.H. kishte njohuri për aktivitetet e grupit terrorist, por ai kishte dështuar t’i raportonte tek autoritetet kompetente.

“Sipas aktakuzës i pandehuri K.H., është takuar dhe ka marrë pjesë në biseda të vazhdueshme me tani të dënuarit V.I, B.I, L.V, F.G, K.P, A.A, L.G, L.M, dhe B.P, për vepra penale të terrorizmit, ashtu që i njëjti ka qenë në dijeni për ekzistimin dhe veprimet e këtij grupi terrorist, por i njëjti i kishte fshehur dhe nuk i kishte lajmëruar tek organet kompetente”, thuhet më tej në njoftim.

“Prokurori i shtetit nga Prokuroria Speciale gjithashtu ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpall fajtor, duke e dënuar sipas Kodit Penal dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak deri në përfundim të këtij rasti penal”.