Prokuroria Speciale për rastin e ish-kryeprokurorit të Apelit: Do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme

Prokuroria Speciale e Kosovës në një komunikatë për media ka njoftuar se pas publikimit të emisionit, janë analizuar të dhënat e transmetuara në këtë hulumtim dhe do të marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të gjithë personat e përfshirë në rastin e ish-kryeprokurorit të Apelit

Prokuroria Speciale e Kosovës





Më 24 tetor, mediumi kallxo.com kishte publikuar disa audio dhe video-incizime, ku shihet dhe dëgjohet ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, teksa i jep premtime biznesmenit Sali Dakaj se do t’ia kryejë një lëndë në favor të tij.

Për këtë veprim, pretendohej se Dërguti i pranoi 150 mijë euro.

Prokuroria Speciale e Kosovës në një komunikatë për media ka njoftuar se pas publikimit të emisionit, janë analizuar të dhënat e transmetuara në këtë hulumtim dhe do të marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të gjithë personat e përfshirë në këtë rast.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se ka ndjekur me vëmendje emisionin ”Kallxo Përnime”, të transmetuar më datën 24 dhe 25 tetor 2022. Menjëherë pas publikimit të këtij emisioni, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka analizuar të gjitha të dhënat e transmetuara në këtë hulumtim medial dhe do të marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me kompetencat ligjore dhe kushtetuese të saj, për të gjithë personat e përfshirë në këtë rast”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Mediumi kallxo.com do të publikojë edhe një pjesë tjetër të këtyre përgjimeve, ku përmendet edhe emri i ish-kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi.

Ndryshe, ish-kryeprokurori i kishte treguar Televizionit Dukagjini se akoma ndodhet në Gjermani dhe se nuk ishte kontaktuar nga Prokuroria.

“Unë nuk e di se kush e merr, por në qoftë se e merr ndonjë gjykatës që e njoh unë, qe e këqyri kujt po i bie lënda, unë do ta marr dhe ta ul një ditë edhe t’ia shpegoj këto sende”, ka thënë Haxhi Dërguti – ish kryeprokuror i Apelit.

Gati 24 orë kanë kaluar prej publikimit të këtij përgjimi nga kallxo.com, ku dëgjohet ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, duke i dhënë premtime një pale se do t’ia kryejë me sukses një lëndë.

“Jo se nuk jam për momentin në Kosovë. I kam disa kontrolle në Gjermani. E a ju ka kontaktuar deri tash Prokuroria, a në asnjë formë brenda këtyre dy viteve nuk ju ka kontaktuar Prokuroria? Kurrgjë nuk di, nuk kam lidhje me këtë punë, dal me komunikatë për këtë punë, dëgjomë”, ka deklaruar Haxhi Dërguti – Ish-kryeprokuror i Apelit.

Dërguti në pamjet e publikuara dëgjohet në disa audio-incizime se si i jep premtime biznesmenit, Sali Dakaj, se do t’i ndihmojë që një lëndë të përfundojë në favor të tij.

Në takime janë të pranishëm edhe dy personat, Liridon Fanda dhe Hasan Morina, të cilët pretendohet se në emër të Haxhi Dërgutit ia morën biznesmenit Dakaj 150 mijë euro.

Vetë Dërguti, në një video-incizim të mëvonshëm nuk e pranon t’i ketë marrë këto para.

Ai ka hezituar të takohet me Fandën e Morinën, të cilët përdorën emrin e tij për t’ia marrë paratë Dakajt.

“Të lutem veç edhe një fjalë, ti më ke dëgjuar kur kam thanë “Pashë Zotin mos më merrni në qafë. Në qoftë se nuk kryhet puna më mirë m’i ktheni paratë pa ardhur vendimi. A kam thënë kështu? Po kam thënë. O vallahi Salih edhe unë kam thanë, kurrë s’të kam premtuar, s’të kam thanë 100% që ta kryj punën. Pasha këtë ujë, e pasha këtë Zot nuk e kam ditur që është puna kështu, se kurrë në këtë punë nuk isha takuar”, ka deklaruar Sali Dakaj – biznesmen.

E Haxhi Dërguti, për disa vite udhëhoqi me një prej Prokurorive më të rëndësishme në vend.

Edhe ministrja Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte reaguar ndaj këtij rasti.

Ajo ka thënë se këto fenomene kanë qenë të njohura prej kohësh, por vetëm sot po i shohim dhe dëgjojmë.

“Haxhi Dërguti jo vetëm për këtë rast por edhe për shumë raste të tjera. Pavarësisht që sot është avokat, ndikimet e paligjshme të tij jam e bindur që vazhdojnë ende për shkak të shumë njerëzve që i ka brenda sistemit të drejtësisë që hapin e mbyllin lëndë me para”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas Haxhiut, në “rrethanat kur sistemi nuk është në shërbim të qytetarëve, qytetarët që i qesin sheshit pazaret e skandalet janë shpresa që e keqja mund të luftohet, prandaj inkurajoj të gjithë që të ndjekin shembullin e qytetarëve të guximshëm dhe në anën tjetër bëj thirrje grupeve parlamentare në Kuvend nga radhët e opozitës që t’i japin mbështetje reformës në drejtësi e cila me padurim po pritet nga qytetarët”.





Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika