Prokuroria Speciale ka shënjestruar rastin “Mati 1” për vepra penale si shpëlarje parash, mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe armëmbajtje pa leje

Janë përfshirë katër persona dhe janë sekuestruar pasuri me vlerë mbi 6.9 milionë euro, përfshirë 59 banesa, 12 parcela dhe 5 llogari bankare.

“Nën udhëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale z. Blerim Isufaj, është mbajtur takimi i radhës me Ekipin e Përbashkët për Përzgjedhjen dhe Shenjëstrimin e Krimeve të Rënda.

Gjatë këtij takimi është shenjëstruar rasti i koduar ‘Mati 1’, për veprat penale “shpëlarja e parasë”, “mashtrimi”, “falsifikimi i dokumentit”, dhe vepra penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në këtë rast janë të përfshirë 4 persona dhe ka të sekuestruara pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.

Vlera totale e pasurisë së ngrirë dhe sekuestruar është 6,924,656.00 €.

Ndër asetet e ngrira dhe të sekuestruara janë 59 banesa, 12 parcela në lokacione të ndryshime dhe 5 llogari bankare”, thuhet në njoftim.