Prokuroria thotë se kompetente për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë policia
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar për masat ligjore të marra paraprakisht për të dyshuarin që vrau gruan e tij shtatzënë në mbrëmjen e së mërkurës në oborrin e QKUK-së. Prokuroria ka bërë të ditur se më 20.07.2022, ka pranuar kallëzim penal kundër S.H, nga komuna e Shtimes, për shkak të dyshimit se i njëjti […]





Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar për masat ligjore të marra paraprakisht për të dyshuarin që vrau gruan e tij shtatzënë në mbrëmjen e së mërkurës në oborrin e QKUK-së.
Prokuroria ka bërë të ditur se më 20.07.2022, ka pranuar kallëzim penal kundër S.H, nga komuna e Shtimes, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer vepër penale “Dhuna në familje” dhe më 09.08.2022 ka intervistuar të dëmtuarën H.M, dhe ka udhëzuar palën e dëmtuar në prezencë të mbrojtësit të viktimave nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave që funksion në kuadër të Prokurorisë së Shtetit që të bëjë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për marrjen e urdhrit mbrojtës.
Ndërkaq, një ditë më vonë, përkatësisht më 10.08.2022, prokurori i çështjes ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.H, për veprën penale “Kanosja”.
Gjykata Themelore në Ferizaj, duke vepruar në bazë të kësaj kërkese ka lëshuar aktvendim për urdhër mbrojtje, i cili urdhër ka qenë në fuqi deri më 13.03.2023.
“Gjykata Themelore në Ferizaj, duke vepruar në bazë të kërkesës së Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave në Ferizaj, me datë 13.09.2022, ka lëshuar aktvendim për urdhër mbrojtje, i cili urdhër ka qenë në fuqi deri më 13.03.2023”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, “kompetent për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës”.




















