Prokuroria vazhdon aksionin ndaj grupit të dytë të dyshuar për manipulim votash në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren ka vazhduar të enjten aksionin ndaj personave të dyshuar për manipulim të votave. Në njoftim, Prokuroria bëri të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren, janë duke u zhvilluar hetime […]
Prokuroria Themelore në Prizren ka vazhduar të enjten aksionin ndaj personave të dyshuar për manipulim të votave.
Në njoftim, Prokuroria bëri të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren, janë duke u zhvilluar hetime të zgjeruara ndaj grupit të dytë të të dyshuarve në këtë komunë.
Sipas Prokurorisë, hetimet lidhen me dyshimet për kryerjen e veprave penale që përfshijnë shkeljen e të drejtës së votimit, si dhe korrupsionin zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare.
“Hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parashikuara në Kapitullin XVIII lidhur me shkeljen e të drejtave të votimit dhe Kapitullit XXXIII Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.
Nga më shumë se 100 të ndaluar gjatë aksionit në Prizren, 22 komisionerë dhe një vëzhgues janë dërguar në paraburgim për një muaj.
Dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e dhjetorit kanë ngritur shqetësime serioze mbi procesin zgjedhor në vend. Për shkak të mospërputhjeve të mëdha të evidentuara në votat e kandidatëve për deputetë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u detyrua të nisë rinumërimin e plotë të votave.
Sipas KQZ-së, rinumërimi po shkon drejt përfundimit, ndërsa tashmë janë rinumëruar rreth 90 për qind e votave dhe pritet të përfundojë brenda fundjavës.















