“Propagandë e rreme”, Hamasi i përgjigjet Izraelit për urdhrin e zhvendosjes së palestinezëve
Ushtria izraelite ka njoftuar OKB-në me një urdhër që kërkon zhvendosjen e pothuajse të gjithë banorëve të veriut të Gazës në jug të këtij territori brenda 24 orëve të ardhshme. Hamasi, grupi militant i cili kontrollon Gazën, i është kundërpërgjigjur këtij urdhri. Një zyrtar i Hamasit e ka karakterizuar si “propagandë të rreme” urdhrin e […]
Ushtria izraelite ka njoftuar OKB-në me një urdhër që kërkon zhvendosjen e pothuajse të gjithë banorëve të veriut të Gazës në jug të këtij territori brenda 24 orëve të ardhshme.
Hamasi, grupi militant i cili kontrollon Gazën, i është kundërpërgjigjur këtij urdhri.
Një zyrtar i Hamasit e ka karakterizuar si “propagandë të rreme” urdhrin e Izraelit dhe i ka këshilluar qytetarët e veriut të Gazës ta injorojnë këtë paralajmërim.
Grupi militant është kritikuar prej kohësh nga komuniteti ndërkombëtar për përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore, duke i ekspozuar ata ndaj rreziqeve të panevojshme për të mbrojtur luftëtarët e tyre, raporton BBC.
Hamasi mori pushtetin në Rripin e Gazës pasi fitoi zgjedhjet legjislative në vitin 2006 dhe pastaj përforcoi pushtetin e tij në Gaza vitin e ardhshëm, rrëzuar lëvizjen rivale Fatah të presidentit Mahmud Abbas.
Tensionet mes këtyre dy grupeve janë vazhdimisht të pranishme në këtë rajon.
Ndërkaq, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi të premten herët se më shumë se 400.000 njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre në Rripin e Gazës dhe se 23 punonjës humanitarë janë vrarë qëkur Izraeli i nisi bombardimet hakmarrëse ndaj sulmit nga militantët e Hamasit në Izrael në fundjavë.
OKB-ja i ka kërkuar gati 300 milionë dollarë për t’i ndihmuar rreth 1.3 milionë civilë në Gaza dhe në Bregun Perëndimor, kryesisht për ndihma ushqimore, pasi furnizimi me ushqim po mbaron.















