Kryetarët e rreth 20 komunave të Kosovës kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar zgjidhje për problemet që, sipas tyre, janë grumbulluar ndër vite dhe nuk janë adresuar nga institucionet qendrore.
Sazan Ibrahimi, përfaqësues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se komunat kanë kërkuar vazhdimisht që problemet e tyre të zgjidhen përmes dialogut ndërinstitucional, por se kërkesat e tyre, sipas tij, nuk janë marrë parasysh që nga viti 2022.
Sipas tij, problemi kryesor mbetet kontrata kolektive, e cila, siç theksoi ai, përbën një barrë të madhe financiare për komunat e Kosovës.
Mes tjerash, Ibrahimi theksoi se në protestë morën pjesë rreth 20 kryetarë komunash, të cilët, sipas tij, përfaqësojnë rreth 1.2 milionë banorë të Kosovës.
“Janë disa probleme që janë grumbulluar ndër vite dhe ne si Asociacion kemi menduar që nëpërmjet dialogut ndërinstitucional të zgjidhen këto probleme – mirëpo pothuasje kërkesat e komunave që nga vitit 2022 nuk janë përfillur fare. Problemi kryesor që e kemi pasur ka qenë kontrata kolektive dhe ende e kemi, barra kryesore për komunat e Kosovës është kontrata kolektive dhe kjo kontratë nuk i prekë vetëm komunat opozitare por i prek të gjitha komunat. Sot kanë qenë rreth 20 kryetarë të komunave në protestë që përfaqësojnë rreth 1.2 milionë banorë të Republikës së Kosovës dhe besojmë se kërkesat e kryetarëve të komunave të kanalizuara nëpërmjet Asociacionit të Komunave të Kosovës nuk do të injorohen në të ardhmen”, u shpreh Ibrahimi.
Ibrahimi kritikoi edhe qasjen e Qeverisë në detyrë ndaj komunave, duke e krahasuar atë me qeveritë e mëparshme.
“Unë jam në këtë pozicion që nga viti 2003 dhe i mbajë mend të gjithë kryeminstrat nga i pari e pasardhësit e tij – gjithmonë kemi pas dialog dhe i kemi zgjedh problemet përmes dialogut e vetmja qeveri ku shumica absolute e kryetarëve vlerësojnë se nuk kemi mundur t’i zgjedhim problemet përmes dialogut është me Qeverinë Kurti, sidomos me “Kurti 2”, u shpreh Ibrahimi.
Ibrahimi, mes tjerash, bëri të ditur se protesta e sotme është totalisht institucionale dhe jo partiake teksa shtoi se kryetarët e komunave janë takuar për herë të fundit me kryeministrin në detyrë në tetor të vitit 2024.