Demonstratat kanë shpërthyer në qytetet kineze dhe kampuset universitare, të shkaktuara nga zemërimi i përhapur ndaj kufizimeve të rrepta Covid të vendosura për gati tre vjet dhe zemërimi për një zjarr vdekjeprurës që fajësohet gjerësisht për bllokimet.

Në një akt jashtëzakonisht të guximshëm që tregon dëshpërimin e njerëzve, një turmë në Shangai bëri thirrje për largimin e partisë komuniste dhe Xi Jinping në një përplasje me policinë të shtunën, sipas videove të qarkulluara në Twitter. Kinezët zakonisht përmbahen nga kritikat e partisë dhe liderëve të saj në publik nga frika e hakmarrjes, shkruan The Guardian.

“Partia Komuniste! Poshtë! Xi Jinping! Poshtë!” ata brohorisnin.

Në pamjet e tjera , njerëzit brohorisnin, “Jo teste PCR, ne duam liri!”, të ndjekur nga raunde thirrjesh të përsëritura për “Liri! Liri!”. Slogani i bëri jehonë thirrjes së një protestuesi të vetmuar në Pekin në tetor .

Sipas fotove të postuara në mediat sociale kineze, një shënim i ngjitur në një shtyllë llambash në seksionin e mesëm të rrugës Urumqi të Shangait thotë: “Për miqtë tanë në Urumqi: Unë ju dua ashtu siç e dua këtë rrugë, si dua familjen time. 26, 22 nëntor.”

Fotot e tjera tregojnë një vigjilje nën dritën e qirinjve përpara një kompleksi apartamentesh luksoze në të njëjtën rrugë, mes një deti qirinjsh të bardhë, me një tabelë kartoni që shkruan: “Urumqi 24 nëntor. U prefshin në paqe ata që vdiqën.”

The Guardian ka verifikuar se pamjet dhe fotot janë realizuar në Shangai.

Protestat erdhën pasi një demonstratë shpërtheu të premten në Urumqi, kryeqyteti rajonal i rajonit në perëndim të Xinjiang, ku të paktën 10 persona humbën jetën dhe nëntë të tjerë u plagosën një ditë më parë në një zjarr në një ndërtesë banimi. Shumë besojnë se vdiqën sepse nuk ishin në gjendje të shpëtonin për shkak të kufizimeve të Covid – një pretendim që qeveria lokale e mohoi.