Gazetari Flogert Muça ka komentuar protestat që po zhvillohen në Shqipëri kundër ndërtimit të një resorti në zonën e Zvërnecit, duke theksuar se kërkesa për transparencë duhet të vlejë njësoj si për qeverinë, ashtu edhe për vetë organizimin e protestës.
Sipas tij, protesta ka nisur si reagim ndaj mungesës së transparencës nga ana e qeverisë, një shqetësim që ai e konsideron të arsyeshëm, pavarësisht debatit për zhvillimin e projekteve ekonomike dhe turistike.
Megjithatë, Muça ngre një pyetje të drejtpërdrejtë mbi vetë lëvizjen protestuese: kush janë organizatorët që formulojnë kërkesat dhe kush janë aktorët që pritet të marrin drejtimin e ndryshimeve të kërkuara?
“Thelbi është ky; protesta u nis nga mungesa e transparencës nga na e qeverisë. Dhe akne shumë të drejtë ata, edhe pse projekti duhet zhvilluar dhe ekonomia e turizmi, kanë të drejtë njerëzit të kenë transparencë. Njëjtë siç kanë të drejtë ata transparencë, po ne, a kemi të drejtë të kemi transparencën se kush janë organizatorët që shkruajnë pikat dhe kush janë ata që pritet të na vijnë dhe të na drejtojnë”, ka thënë Muça në Debat Plus.
Në këtë kontekst, protestuesit kanë artikuluar një platformë të gjerë kërkesash politike dhe institucionale. Ato përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor, si dhe ndryshime kushtetuese që synojnë barazi të plotë para ligjit dhe reformim të sistemit zgjedhor e të financimit të partive politike. Po ashtu kërkohet kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë karrierës politike.
Një tjetër pjesë e kërkesave lidhet me shfuqizimin ose anulimin e disa ligjeve dhe paketave ligjore, përfshirë ligjin për “Zonat e Mbrojtura”, ligjin për “Trashëgiminë kulturore”, “Paketa e Maleve” dhe statusin e investimeve strategjike. Protestuesit kërkojnë gjithashtu një “kontratë të re sociale” mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të hartohej përmes konsultimeve me intelektualë, ekspertë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga vetë protesta.
Protestat, të cilat kanë hyrë në ditën e 26-të, po vijojnë në Tiranë, përfshirë sheshin “Skënderbej” dhe zonën përpara Kryeministrisë.
