Shqiptarë të mbledhur në New York kanë protestuar të martën para selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mbishkrime të ndryshme, përmes të cilave kanë shprehur kundërshtimin ndaj aktgjykimit dhe kanë kërkuar lirimin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Në mesin e mesazheve të shfaqura në protestë ishin “Drejtësi, jo politikë”, “Ku janë kriminelët që masakruan 147 civilë në Izbicë”, “Lironi heronjtë tanë” dhe “Heronj të luftës e të paqes”.
Protestat kundër vendimit të Speciales kanë vazhduar edhe në Kosovë dhe në vende të tjera ku jeton diaspora shqiptare. Pas vendimit të shpallur më 16 shtator, tubime janë mbajtur edhe në New York, Kanada, Zvicër, Gjermani dhe Austri.
Gjykata Speciale i ka shpallur fajtorë Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin për krime lufte, duke i dënuar përkatësisht me 25 vjet, 25 vjet, 18 vjet dhe 13 vjet burgim.
