Protestojnë punëtorët e sigurimit fizik: KEK jep tenderë të paligjshëm
Shoqata Sindikale “Siguria Fizike” në KEK ka protestuar të hënën para zyrave të kësaj korporate në Prishtinë. Ata kanë kërkuar kthimin si punëtorë të KEK-ut dhe jo të tenderohen vazhdimisht, siç thanë jashtëligjshëm në sektorin privat. Kryetari i kësaj shoqate, Nexhat Murati, tha se kërkojnë një takim urgjent me menaxhmentin e KEK-ut për të mos […]
Shoqata Sindikale “Siguria Fizike” në KEK ka protestuar të hënën para zyrave të kësaj korporate në Prishtinë.
Ata kanë kërkuar kthimin si punëtorë të KEK-ut dhe jo të tenderohen vazhdimisht, siç thanë jashtëligjshëm në sektorin privat.
Kryetari i kësaj shoqate, Nexhat Murati, tha se kërkojnë një takim urgjent me menaxhmentin e KEK-ut për të mos hyrë në grevë më datën 13 të këtij muaji.
“Ne i kërkojmë KEK-ut një takim urgjent për të na dhënë një mundësi që të mos futemi në grevë nga data 13 të këtij muaji. Ne po kërkojmë drejtësi. Kemi marrë vesh që KEK-u po shpall tenderë në mënyrë të paligjshme. Ne nuk kemi rrugëdalje tjetër përpos grevës që do ta mbajmë pikërisht këtu me një tendë që e kemi marrë lejen nga komuna dhe Policia e Kosovë”, tha Murati.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, tha se në KEK është bërë një tender i jashtëligjshëm.
“Arsyeja e kësaj proteste të shpejtë është sepse ky departament është huazuar në vitin 2004 dhe në vitin 2007 që është dashur të kthehet në KEK. Është bërë një tender i jashtëligjshëm. Këta punëtorë kanë paga shumë të ulëta dhe sigurimi i KEK-ut nuk mund të jetë një sigurim i mirë, ashtu siç mund të jetë brenda kompanisë së KEK-ut”, tha ai. /KosovaPress/















