Protestuesit në Shqipëri vlerësojnë se janë arritur disa objektiva madhore

Qytetarë të shumtë kanë protestuar të shtunën për të 28-n herë me radhë në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e Qeverisë Rama.

Protesta ka filluar si kundërshtim i projektit të Zvërnecit, por tashmë kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e qeverisë shqiptare.

Protestuesi Mirjan Aliaj ka thënë se tashmë protestat veçse kanë arritur disa objektiva madhore, ani pse kryeministri Rama nuk është dorëhequr.

“Kjo protestë ka disa arritje por një nga arritjet më të mëdha që unë do të përmendja sipas këndvështrimit tim është që e ka thyer një herë e përgjithmonë paragjykimin që ne shqiptarët nuk ngrihemi, që ne shqiptarët nuk bashkohemi dhe ne nuk bëhemi bashkë kundër klasës së inkriminuar politike”, ka thënë Aliaj./AP

E për Ervin Gocin, pedagog i Komunikimit në Universitetin e Tiranës, protesta shkon përtej dorëheqjes së Ramës dhe tashmë ka sjellë një mobilizim shoqëror te shqiptarët.

“Njerëzit, një pjesë e shoh që janë të ndërgjegjshëm, një pjesë do ta kuptojnë rrugës që ky është proces më i gjatë sesa thjesht një protestë e tanishme. Sepse po bëhet fjalë për të shkulur një të keqe shumë të madhe: që do të thotë, ne duhet të insistojmë, duhet të mobilizohemi, të bëjmë protesta masive, të shkohet drejt mosbindjes civile e të tregohet se shoqëria nuk e do më këtë lloj sistemi dhe se duhet luftuar fort, jo thjesht për dorëheqjen e kryeministrit por për zgjedhje të parakohshme drejt ca parametrave të pranueshme”, ka thënë Goci.

Në anën tjetër, reagimi i Ramës ndaj revolucionit të flamingove siç identifikohet protesta, është përqendruar kryesisht në rrjetet sociale me postime tallëse e therëse ndaj atyre që protestojnë pothuajse çdo natë përballë vendit të tij të punës – kryeministrisë.

Alijaj megjithatë, mendon se reagimet e kryeministrit Rama shpërfaqin më shumë pasiguritë e tij në raport me atë se si të reagojë ndaj protestës më jetëgjatë në Shqipërinë post-komuniste.

“Ai do t’i banalizojë këto kërkesa dhe po merret me individë të caktuar për të hequr vëmendjen nga kërkesat, pasi siç duket e kanë shqetësuar shumë”, ka thënë Aliaj.

Prej një muaji prejse ka nisur protesta, taborët veç kanë thelluar ndarjet e mospajtimet. Tensionet janë rritur pas akuzave të pushtetarëve ndaj disa figurave që janë paraqitur në protesta.

Dy ditë më parë, Ministria e Brendshme e Shqipërisë shpalli “person të padëshiruar” për 15 vjet teologen nga Kosova, Igballe Huduti. Autoritetet shqiptare e kanë akuzuar se ajo është e infiltruar nga Irani.

E akuzën për përfshirje të Iranit, Rama e ka pasur që nga fillimi. Autoritetet tashmë kanë thënë se po mbikëqyrin dhe po hetojnë persona që dyshohen për lidhje me Iranin dhe që mund t’i shfrytëzojnë protestat.

Të shtunën, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka paralajmëruar se qeveria shqiptare mund të shpallë edhe persona të tjerë “non grata” nëse vlerësohet se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.

Protestat që nisën si kundërshtim ndaj ndërtimit të një resorti luksoz në Zvërnec të Vlorës gati një muaj më parë, me kalimin e ditëve janë shndërruar në protesta me kërkesa politike, përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika