Partia Socialdemokrate (PSD) ka reaguar ndaj arrestimit të kryetarit të saj, Dardan Molliqaj. Arrestimi ndodhi sot, teksa Molliqaj ishte rrugës për një takim, dhe sipas PSD-së, përbën një akt të paprecedent dhe të pajustifikueshëm.

Në një reagim zyrtar, PSD e ka quajtur këtë veprim të policisë si tërësisht jashtë çdo racionaliteti, duke theksuar se Molliqaj nuk ka marrë ftesë nga gjykata dhe është lehtësisht i qasshëm në përditshmëri.

“Ky arrestim është totalisht jashtë çdo racionaliteti. Përderisa nuk ka marrë as ftesë nga gjykata dhe në të njëjtën kohë çdo ditë është në rutinën e tij dhe mund të gjindet lehtësisht, kjo sjellje nuk mund të lexohet ndryshe përveç se presion politik dhe demonstrim force nga një njësi e krijuar për situata emergjente dhe të rrezikshme, jo për të ndaluar opozitën politike.

Prioriteti dhe zelli në të cilin janë vendosur anëtarët e PSD-së për “shqyrtim rastesh” lë dyshime se kjo po ndodhë qëllimshëm, meqë një numër të madh rastesh e kanë së bashku me antëtarët e VV-së, duket që mësyrja është kryesisht ndaj PSD-së.

Arrestime të tilla nuk na ndalin, vetëm e bëjnë më të qartë për të gjithë kush ka frikë nga organizimi politik.

Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Dardan Molliqajt”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Kallxo.com raportoi se Dardan Molliqaj nuk kishte marrë pjesë në seancën fillestare gjyqësore, ku po akuzohet për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”. Sipas aktakuzës, Molliqaj akuzohet se më 29 janar 2022 ka goditur me grusht në fytyrë një polic gjatë një proteste të organizuar nga PSD kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Gjyqtarja Valbona Fejza, në seancën gjyqësore, ka cituar raportet e Policisë nga fletëkthesat dhe ka deklaruar se “personi është i papërshtatshëm dhe vazhdimisht mundohet t’ju ikë thirrjeve dhe nuk është aspak bashkëpunues”. Ajo njoftoi se ndaj tij do të lëshohet urdhërarrest, pasi dy ftesa të dërguara në adresën e specifikuar nga Prokuroria kanë rezultuar të pasakta, ndërsa përpjekjet e Policisë për ta gjetur nuk kanë dhënë rezultat.