300 euro për një njësi të ilaçit Remdesivir kanë paguar qytetarët e Kosovës, për trajtim kundër virusit Covid-19.
Kështu bëri të ditur Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), gjatë publikimit të raportit me titull, “Pse qytetarët u detyruan ta blejnë vetë Remdesivirin? – Si dështoi MSH-ja për të siguruar Remdesivirin për pacientët e prekur me Covid-19?”.
Në tryezën e organizuar nga KDI, Agon Hysaj, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka dështuar ta sigurojë barin në fjalë për pacientët kosovarë, andaj qytetarët janë detyruar ta blejnë atë me çmim shumë të lartë.
Hysaj ka thënë se në kohën kur nga MSH-ja është anuluar tenderi për blerjen e Remdesivirit, është dashur që të ketë komunikim në mes të ministrisë e spitaleve, në mënyrë që këta të fundit të mos ua përshkruajnë pacientëve blerjen e atij bari.
“Remdesiviri ka mund të blihet edhe përmes një marrëveshje me Bashkimin Evropian, e cila është nënshkru në prill të vitit 2020, ku Kosova është bërë pjesë e marrëveshjes për prokurim të përbashkët, që nënkupton se kur BE-ja vendos ta blejë një produkt edhe Kosova mund të bëhet pjesë e atij procesi të prokurimit”, ka thënë Hysaj.
Duke u thirrur në Ligjin për Luftimin e Pandemisë, Hysaj ka shtuar se të gjitha shpenzimet është dashur të mbulohen nga institucionet e Kosovës, kështu sipas tij, qytetarët të cilët kanë blerë barëra me çmime të larta kundër Covid-19, duhet të rimbursohen nga Ministria e Shëndetësisë, jo vetëm për Remdisivir, por për të gjitha barërat që i kanë blerë vetë.
I ftuar për të diskutuar në lidhje me këtë çështje ishte edhe ish-Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Ai ka thënë se është manipuluar shumë rreth çmimeve me barin Remdesivir, sipas tij procedurat e blerjes janë komplikuar edhe me moskomunikim të mirë mes Shërbimit Spitalor Universitar dhe Ministrisë së Shëndetësisë, gjë që sipas tij ka krijuar edhe vonesa.
Ish ministri, ka përmendur edhe grupe të interesit në lidhje me situatën e shkaktuar, por nuk ka përmendur se cilat janë ato grupe të interesit.
“Në momentin që ka filluar procedura atëherë këtu fatëkeqësish lufta e grupeve të interesit e cila dëmton edhe sektorin farmaceutik por edhe shëndetësinë kosovare”, ka thënë Zemaj.
Thirrje qytetarëve për të aplikuar për kompensim të mjeteve, ka bërë edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu. Ai ka thënë se ka dyshime se ka pasur keqpërdorime apo siç e ka quajtur ai “vjedhje”, në blerjen e barnave.
“I ftoj të gjithë qytetarët të cilët kanë faktura për blerjen e Remdesivirit që bazuar në këtë ligj të aplikojnë për rimbursim, sepse kur kam thënë se është duke u vjedhë në thasë të kufomave, po del që është vjedhë edhe në barna”, ka thënë Haxhiu.
Dyshime për cilësinë dhe prejardhjen e barnave të importuara në Kosovë, ka hedhur deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj. Ai ka thënë se në treg ka barna të ndryshme të cilat nuk janë të verifikuara.
“Plot herë kemi raste të cilat barnat e blera nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, kur fillojnë të përdoren nga pacienti fillojnë të kenë probleme anësore. Ju si media dhe të gjithë ne duhet të bëjmë thirrje që të ketë cilësi në barna”, ka thënë Dreshaj.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ende nuk dihet saktë se a ka ndikim pozitiv bari Remdisivir a po jo, por që deri më tani efektet janë shpresëdhënëse.