Pse janë interesante zgjedhjet presidenciale në Finlandë?

Në mesin e pesë kandidatëve kryesorë është edhe një ish-kryeministër, ka ministra të Jashtëm dhe të Financës, komisionarë aktualë dhe ish-komisionarë evropianë, drejtues të Bankës Qendrore dhe kryeparlamentarë

FOTO:AFP

Këtë vit, në mbarë botën do të mbahen një numër rekord zgjedhjesh, me 4 miliardë persona që do të votojnë në zgjedhjet kombëtare në më shumë se 50 shtete të botës.

Në mesin e shteteve ku do të mbahen zgjedhjet do të jenë Shtetet e Bashkuara, disa shtete të G20-s sikurse India, Indonezia, Meksika dhe Afrika e Jugut. Ndërkaq, votuesit në Bashkimin Evropian do të votojnë për përbërjen e re të Parlamentit Evropian.

Pavarësisht faktit se një numër rekord njerëzish do të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike në mbarë botën, do të ketë edhe debate të pafundme për gjendjen e demokracisë, me rritjen e pritshme të populistëve, të politikanëve të rinj dhe të partive antisistematike në një kohë kur ka rritje të dezinformimit.

Në këtë kuptim, votimet për zgjedhjet presidenciale finlandeze – një prej zgjedhjeve që do të mbahen sivjet – mund të jenë të ndryshme.

Është e vërtetë që votimet e 28 janarit në Finlandë nuk janë zgjedhjet më të rëndësishme për shumicën e njerëzve në botë që do të mbahen gjatë vitit 2024. Dhe sigurisht mund të ngrihen pyetje nëse kandidatët e këtyre votimeve janë karizmatikë, popullorë apo të përshtatshëm. Por, nuk mund të vihen në dyshim kualifikimet e tyre – të paktën nëse shikohen biografitë e tyre.

Në mesin e pesë kandidatëve kryesorë është edhe një ish-kryeministër, ka ministra të Jashtëm dhe të Financës, komisionarë aktualë dhe ish-komisionarë evropianë, drejtues të Bankës Qendrore dhe kryeparlamentar. Nëse keni shikuar me vëmendje politikat finlandeze, apo edhe ato evropiane gjatë dekadës së fundit, shanset janë të larta që keni dëgjuar emrat sikurse Alexander Stubb, Pekka Haavisto, Olli Rehn, Jutta Urpilainen apo Jussi Halla-aho.

Këta kandidatë po garojnë për postin, që nuk është as më i fuqishmi në shtetin nordik, pasi vendimmarrja politike bie nën pushtetin e Qeverisë dhe të kryeministrit. Megjithatë, presidenti është komandanti i ushtrisë, përfaqëson shtetin në samitet e NATO-s dhe ka kompetenca mjaft të gjera emëruese dhe presidenti apo presidentja e re mund të formësojë politikën e jashtme, në bashkëpunim me qeverinë. Në përgjithësi, personi që mban këtë post duhet të jetë disi “një baba apo nënë e kombit”.

Presidenti aktual, Sauli Niinisto, mandati i dytë gjashtëvjeçar i të cilit tani do të mbarojë, konsiderohet si personi që vitin e kaluar e futi shtetin në NATO, dhe ai, sipas diplomatëve me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, është gjerësisht i respektuar nga udhëheqësit e huaj sikurse Vladimir Putini, Joe Bideni dhe Recep Tayyip Erdogani.

Por, kush do të fitojë?

Ka shumë gjasa që askush të mos marrë 50 për qind të votave në rundin e parë, prandaj dy kandidatët kryesorë do të ballafaqohen në rundin e balotazhit pas dy javësh. Sipas sondazheve, në garën presidenciale po prijnë Alexander Stubb nga Partia e Koalicionit Kombëtare e qendrës së djathtë, dhe Pekka Haavisto që garon si kandidat i pavarur, por që një kohë të gjatë ka qenë i lidhur me të Gjelbërit. Të dy pritet të marrin 20 deri në 25 për qind të votave gjatë rundit të parë të zgjedhjeve. Në balotazh, Stubb ka shumë gjasa të dalë i pari, edhe pse pritet që diferenca në vota të jetë e ngushtë.

Nëse dikush do të konsiderohej “i ledhatuari i Brukselit”, ai do të ishte Stubb. Kurdo që ka spekulime lidhur me vendet kryesore të punës në institucionet në kryeqytetin e BE-së, emri i tij automatikisht del në sipërfaqe. Në fakt, nëse ai nuk bëhet president i Finlandës gjatë këtij dimri, ai mund të bëhet kandidati i ri finlandez për komisionar evropian në vjeshtë, me sytë nga një post kyç. Në fakt, pikërisht në Bruksel ai e nisi karrierën katër vjet më parë si anëtar i Parlamentit Evropian. Më pas ai mbajti poste të ndryshme në Qeverinë finlandeze – ministër i Evropës dhe Tregtisë, ministër i Jashtëm, kryeministër, ministër i Financave – para se të bëhej zëvendëspresident i Bankës Evropiane të Investimeve (EIB), dhe së fundi drejtor dhe profesor në Institutin Universitar Evropian.

Stubb flet rrjedhshëm gjuhën finlandeze dhe suedeze – dy gjuhët zyrtare në Finlandë – dhe flet po aq rrjedhshëm edhe në gjuhën angleze, frënge dhe gjermane. Ai është parë më shumë si evropian krahasuar me finlandezët e zakonshëm që janë më fjalëpakë.

Edhe kandidati tjetër kryesor, Pekka Haavisto, është një zgjedhje mjaft “ekzotike” për president. Si fillim, ai do të bëhej personi i parë homoseksual që do të mbante këtë post, pasi ai më 2002 kishte bërë bashkim civil me partnerin e tij ekuadorian. Sikurse Stubb, edhe ai po ashtu ka shërbyer si ministër i Jashtëm dhe ka një karrierë mjaft mbresëlënëse diplomatike. Ai ka qenë përfaqësues i posaçëm i BE-së në bisedimet e paqes të Darfurit në Sudan më 2005 dhe ka qenë i dërguari i bllokut në Etiopi gjatë luftës së fundit në Tigrej.

Në tri dekadat e fundit, ai po ashtu ka pasur disa poste në Kombet e Bashkuara sikurse në Afganistan, Irak dhe Ballkanin Perëndimor dhe bëri historinë më 1995 kur u bë ministri i parë i një qeverie evropiane duke përfaqësuar një parti të gjelbër, kur ai u emërua ministër i Mjedisit. Në dy garat paraprake presidenciale, më 2012 dhe 2018, ai ka dalë i dyti, dhe shpreson që herën e tretë të ketë fat.

Po kandidatët e tjerë?

Jutta Urpilainen, komisionarja aktuale evropiane, dhe ish-zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Financës, sipas sondazheve nuk pritet të marrë më shumë se 5 për qind të votave – një shifër pikëlluese për një person që pritej të ishte një prej udhëheqëseve kryesore kur ajo u bë liderja e parë grua e Partisë Socialdemokrate më 2008.

Olli Rehn, që garon si kandidat i pavarur, por është i lidhur me Partinë Agrare të qendrës, po ashtu do të jetë i zhgënjyer me mbështetjen prej 10 për qind, ashtu siç sugjerojnë sondazhet. Pak persona janë përfshirë në vendimet e mëdha evropiane gjatë këtij shekulli sa Rehn. Në mes të viteve 2004 dhe 2010 ai ka qenë komisionar për Zgjerim i BE-së, duke mirëpritur në bllok Bulgarinë dhe Rumaninë, dhe duke përgatitur për anëtarësim Kroacinë, shtet që u bë anëtar i bllokut më 2013. Ai po ashtu ka qenë më i përfshirë se të tjerët në vendimin më kundërthënës: hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Turqinë.

Por, ai ishte më shumë i përfshirë gjatë mandatit të dytë në Komisionin Evropian nga viti 2010 deri më 2014, pasi ishte përgjegjës për çështjet ekonomike dhe monetare gjatë viteve të krizës më të keqe të eurozonës. Ai, megjithatë, ruajti reputacionin si person që mbajti sigurt financat e shtetit e tij pasi u bë ministër i Ekonomisë së Finlandës dhe që nga viti 2018 shërben në postin e presidentit të Bankës Qendrore të Finlandës.

Dhe ndoshta kandidati më kundërthënës është Jussi Halla-aho, nga partia populiste finlandeze, i cili pritet të dalë i treti. Por, së fundi ai është ngritur në sondazhe dhe mund të paraqesë kërcënim për dy kandidatët e parë. Ai është aktualisht kryetar i Parlamentit, dhe po ashtu ka qenë anëtar i Parlamentit Evropian. Halla-aho është shpallur fajtor për adhurim shqetësues fetar dhe për agjitacion etnik, pas fyerjeve të bëra ndaj islamit dhe emigracionit përmes blogut të tij, që ka një audiencë të konsiderueshme. Nuk ka asnjë dyshim që ai e ka çuar partinë e tij në një drejtim më radikal që kur mori udhëheqjen partiake më 2017.

Por, për dallim nga shumë populistë të tjerë në Perëndim, Halla-aho është më shumë se vetëm një agjitator politik. Diplomatët finlandezë me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, kanë deklaruar se ai “në aspektin intelektual është i mprehtë si brisku” dhe është një person “i rrezikshëm” për shkak të inteligjencës që ka. Ndryshe nga të tjerët në spektrin politik që vijnë nga ekstremi i djathtë, ai është në favor të NATO-s, është kritik i Rusisë dhe ishte duartrokitur në Parlamentin ukrainas pasi mbajti një fjalim në gjuhën ukrainase pothuajse në mënyrë perfekte, duke vënë në pah doktoraturën që ka në gjuhët sllave.

Zgjedhjet e tjera që do të mbahen këtë vit ka shumë të ngjarë që të prodhojnë më shumë lajme, por pothuajse asnjëra palë prej tyre nuk ka kandidatë me rezyme të tillë politike sikurse kandidatët për zgjedhjet presidenciale në Finlandë./REL

Shija e redaktorit

FSK-ja sot organizon Ditën e Vizitorëve, pjesëmarrëse edhe Osmani

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), këtë të martë, 12 nëntor, organizon Ditën e Vizitorëve, ku aty pritet të marrë pjesë edhe presidentja Vjosa...

“Dukagjini” do të promovojë në Tiranë librin “Ciceroni shqiptar i...

Panairi i 27-të i Librit në Tiranë po afrohet. Ashtu si çdo vit tjetër, do të marrë pjesë edhe shtëpia botuese “Dukagjini”, e cila...

“Dukagjini” do të promovojë serinë e lektyrave shkollore në Tiranë

Për të gjithë ju, mësimdhënës, pedagogë, prindër, fëmijë; lexues të letërsisë për fëmijë, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar që më datën 16 nëntor, ditën...

Të fundit nga rubrika