Pse Koreja e Veriut po nderon vetëm disa ushtarë të vrarë në luftën në Ukrainë?

Teksa dielli perëndonte gjatë një ceremonie më 26 prill për inaugurimin e një memoriali për trupat e Koresë së Veriut që u vranë në luftën në Ukrainë, “balona të panumërta të bardha përkujtimorë” u lëshuan në qiell nga varret e afër 280 ushtarëve.

Këto varre, që rrethojnë Muzeun Memorial të Arritjeve Luftarake në Operacionet Ushtarake Jashtë Vendit në Phenian, përfaqësojnë vetëm një pjesë të afër 2.000 ushtarëve që inteligjenca e Koresë së Jugut thotë se u vranë gjatë fushatës për të dëbuar forcat ukrainase nga rajoni rus i Kurskut.

Koreja e Veriut më herët kishte nderuar vetëm 101 ushtarë të rënë në fushatën ushtarake në Rusinë perëndimore. As Pheniani dhe as Moska nuk kanë publikuar shifra për viktimat nga fushata në Kursk.

Naoko Aoki, politologe në institutin RAND, i tha Radios Evropa e Lirë se numri relativisht i vogël i ushtarëve që po nderohen publikisht në Korenë e Veriut ka të ngjarë të jetë nga shtresa më e bindur e një hierarkie të ngurtë shoqërore në shtet.

“Koreja e Veriut ka një sistem klasifikimi shoqëror të quajtur songbun, i cili i kategorizon njerëzit në grupe bazuar në besnikërinë e paraardhësve të tyre ndaj regjimit”, tha për Radion Evropa e Lirë ekspertja për Korenë e Veriut.

“Kjo përcakton qasjen e një personi në gjithçka, nga ushqimi, arsimi dhe puna”, theksoi ajo, duke shtuar: “Mendoj se mund të supozojmë se ata që përkujtohen, si 101 ushtarët e nderuar në një ceremoni gushtin e vitit të kaluar, vijnë nga një klasë që regjimi e konsideron të besueshme”.

Kompleksi i madh memorial është ndërtuar përballë blloqeve të apartamenteve, të cilat mediat shtetërore të Koresë së Veriut pretendojnë se janë ndërtuar për familjet e ushtarëve të vrarë në Rusi.

Midis fundit të vitit 2024 dhe qershorit të vitit 2025, Koreja e Veriut ka dërguar rreth 14.000-15.000 trupa për të ndihmuar në zmbrapsjen e trupave ukrainase në rajonin rus të Kurskut, teksa po vazhdon pushtimi rus i Ukrainës.

Si Moska ashtu edhe Pheniani fillimisht i mohuan raportimet se koreanoveriorët po luftonin kundër forcave ukrainase, por në prill të vitit 2025, të dy palët e pranuan praninë e trupave aziatike në territorin rus. Që atëherë, Pheniani e ka bërë këtë kapitull një fokus propagandistik brenda shtetit autoritar.

Aoki tha se “duke pasur parasysh numrin e ushtarëve të përfshirë, mbajtja e këtij sekreti do të ishte e vështirë, madje edhe për Korenë e Veriut”.

Aoki tha se vendimi i Phenianit për të përkujtuar në mënyrë luksoze ushtarët e rënë është një mesazh pjesërisht, i drejtuar edhe nga Kremlini. “Veçanërisht për Rusinë, kjo është një kujtesë e radhës se sa shumë ka bërë Koreja e Veriut për këtë vend”.

Në një fjalim gjatë ceremonisë hapëse, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, lavdëroi “një histori të re miqësie midis Koresë dhe Rusisë, të shkruar me gjak”. Sipas mediave shtetërore të Koresë së Veriut, presidenti rus, Vladimir Putin, i ka dërguar një letër Kimit, duke e quajtur memorialin e ri “një simbol të veçantë të miqësisë dhe unitetit midis popujve të dy vendeve tona”.

Në këmbim të dërgimit të ushtarëve të saj, besohet se Koreja e Veriut ka marrë para, ushqime dhe ndihmë teknike.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, së fundi ka deklaruar se mijëra trupa të Koresë së Veriut ende ndodheshin në Rusi deri në muajin shkurt. Vetëm dy koreanoveriorë janë kapur të gjallë nga Kievi, dhe të dy aktualisht mbahen në Ukrainë.

Shija e redaktorit

Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias

Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin...

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Shtëpia botuese “Dukagjini” sjell në gjuhën shqipe 16 libra të...

Secila një histori ndryshe nga tjetra. Të gjashtëmbëdhjetë libra nga krijimtaria e nobelistit gjermano-zviceran, Hermann Hesse, në gjuhën shqipe i gjeni në Librarinë “Dukagjini”. Promovimi i...

Të fundit nga rubrika