Pse migrojnë kosovarët?

Sociologu Behar Osmani ka cilësuar se largimi i "fuqisë intelektuale" po shkakton një boshëllëk në shoqëri. I njëjti bie dakord me ekonomistin Egzon Kastrati se një fenomen i tillë pamundëson rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit dhe jo vetëm


Mosliberalizimi i vizave i ndjekur nga një nevojë e vendeve perëndimore dhe krahas saj, edhe problemet e tjera që ka Republika e Kosovës, duket të jenë shkaqet se pse numri i migrimit të kosovarëve vazhdon të rritet.

Përgjigja më e gatshme për një pyetje të tillë do të ishte situata ekonomike në vend. Jo më ndryshe mendon edhe sociologu Behar Osmani.

Në një intervistë për Portalin Dukagjini, Osmani thotë se interesimi për të migruar rritet edhe nga situtat jostabile politike dhe ekonomike.

“Në zanafillë të dukurisë së migrimit parashihet të jenë faktorët si situatat politike dhe socio-ekonomike jo stabile vendore dhe fenomene të tilla si korropsioni, nepotizimi, ndarja e shoqërisë në dy shtresa; të pasurit dhe të tjerët të nderthurura me probleme identitare si servilizmi dhe ksenocentrizmi. Predominon mungesa e drejtësise dhe tregut të punës. Ndjekur nga një sistem i arsimit i dobët dhe shpërfillja e parimit të meritokracisë. Gjithashtu mos liberalizimi i vizave (getoizimi) si dhe nevoja e perëndimit për fuqi puntore janë arsyet kryesore pse ne si shoqëri sot kemi kaq shumë të migruar dhe interesim për të migruar”, ka deklaruar ai.

Magjistër i Sociologjisë, Behar Osmani

Përpos numrit në ulje të fuqisë puntore dhe njëherit, rinisë në Kosovë, është e pashmangshme të mos mendohet se një fenomen i tillë në rritje mund të ketë pasoja për vendin dhe njëherit, mund të paraqes rrezikim të stabilietit të vendit.

Sipas Osmanit, ajo që ai e quan “fuqia intelektuale” e që paraqet të rinjët e arsimuar mund të shkaktojë boshllëk në shoqëri.

“Secili individ ka dhe zënë një vend të rëndësishëm në superstrukturën shoqërore të një shteti, dhe me migrimin e atij individi krijohen tendencat e debalancimit dhe prishjes se kësaj superstrukture shoqërore.’, thotë Osmani gjersa thekson se migrimi në Kosovë është i prirur kohët e fundit nga migrues të moshës se re dhe me përgatitje superiore.

Radhë e gjatë pranë një zyre për aplikim për viza (Foto e publikuar nga Ermal Panduri, 16 nëntor 2022)

Lidhur me ndikimin në ekonominë e vendit, ekonomisti Egzon Kastrati thotë se ky fenomen në rritje e dëmton mjaft ekonominë duke e bërë të shihet atë sikurse një vend jopotencial të investimeve.

Krahas kësaj, një fenomen i tillë pamundëson rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit dhe jo vetëm.

“Mobiliteti i fuqisë punëtore ndikon drejtpërsdrejti në rënjen e produktivitetit ekonomik po ashtu edhe konsumit dhe normalisht, ky trend dërgon bizneset drejt falimentimit e ekonominë drejt rënies e sidomos tek Kosova, si një vend me një sistem të brishtë ekonomik”, ka treguar Kastrati gjersa ka theksuar se “Migrimi në periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë do të ketë pasoja destruktive për ekonominë”.

Çfarë mund të bëjë Kosova për parandalimin e migrimit?

Sipas Osmanit, Agjencia e Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK) duhet të vlerësojë dhe parashikojë siç duhet nevojat e tregut të punës në Kosovë. Sipas tij, ajo që do duhej të bënte APRK është të të mbledhë të dhëna gjithëpërfshirëse për vendet e lira të punës dhe sfondin profesional dhe arsimor të të papunëve. Por sipas tij, e gjithë përgjegjësia nuk i takon vetëm APRK-së.

“APK-ja duhet të mbledhë të dhëna gjithëpërfshirëse për vendet e lira të punës dhe sfondin profesional dhe arsimor të të papunëve. Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale (MPMS) në Kosovë duhet t’i përdorë të dhënat nga APK-ja për të hartuar politikat e migracionit të fuqisë punëtore në përputhje me nevojat e tregut të punës. Në ketë formë krijohet një tabllo reale e mundesive brenda vendit dhe e nevojave për migrim sepse migrimi nuk mund të ndalet si dukuri është e drejtë e individit për të zgjedhur për të migruar apo për të mos migruar”, ka treguar ai.

Por sipas ekonomistit Egzon Kastrati, Kosova do duhej që të stimulonte investimet e veçanërisht, ato të huajat. Krahas kësaj, një qasje gjithëpërfshirëse nga ana e institucioneve kosovare nuk do duhej të mungonte.

“Kosova është dashur që më herët të stimulojë investimet e sidomos për investimet e huaja direkte. Po ashtu, përkrahja e bizneseve që do të rriste në masë të madhe mundësinë e punësimit dhe gjenerimit të të hyrave për të papunët dhe kjo do të ndikonte drejtpërsëdrejti në mirëqenien e tyre. Rritja e fondeve për programe të punësimit nga 1 për qind në 4 për qind të GDP-së dhe po ashtu fuqizimi i sektorit privat do të ishte një faktor që sadokpak të ndalojë këtë trend shkatërrues për ekonominë dhe vendin”, ka deklaruar ai.

Magjistër i ekonomisë, Egzon Kastrati

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se Kosova e konsideron migrimin e parregullt si një nga sfidat kryesore në të ardhmen.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbetet menaxhimi i migracionit dhe masat kundër luftimit të saj.

“Ndava mendimin se Kosova e konsideron migrimin e parregullt si një nga sfidat kryesore në të ardhmen dhe si rrjedhojë është një nga prioritetet e Qeverisë sonë, e cila ka si synim menaxhimin e migracionit të rregullt; garantimin e migrimit të sigurt dhe të mirë organizuar si dhe fuqizimin e masave për të luftuar dhe parandaluar migrimin e parregullt”, ka shkruar ai.

Bazuar në njoftimin e tij, vetëm këtë vit, Policia e Kosovës ka inicuar 32 raste të kontrabandës me migrantë, ka arrestuar 60 persona dhe ka identifikuar 332 viktima të kontrabandimit të emigrantëve. Gjatë të njëjtës periudhë, Policia e Kosovës ka shkatërruar 4 grupe kriminale dhe ka arrestuar 28 persona për kontrabandim me migrantë.

Portali Dukagjini ka kontaktuar edhe me ambasadën gjermane në Kosovë lidhur me numrin e kosovarëve që kanë aplikuar për viza, por të njëjtin nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika