Pse SHBA ia dha “Dialogun Strategjik” Serbisë sipas Daniel Serwer?

Profesori amerikan në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Server

Profesori amerikan, Daniel Serwer, ka thënë për televizionin N1 se nisja e dialogut strategjik mes SHBA-së dhe Serbisë është “një hap i madh”, por thotë se “nuk mund të parashikojë se çfarë do të dalë prej tij” dhe se “shumëçka do të varet nga rrethanat”.

Megjithatë, sipas tij, dialogu strategjik përbën “një arritje të madhe parazgjedhore” për presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

“Mendoj se është mjaft befasuese të organizohet diçka e tillë vetëm pak muaj para zgjedhjeve. Kjo tregon qartë gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për t’i ofruar mbështetje Vuçiqit, i cili, meqë ra fjala, është ankuar me hidhërim se amerikanët po përpiqen të mbështesin një revolucion me ngjyra kundër tij”, tha Serwer.

Ai vlerësoi gjithashtu se “amerikanët do të përpiqen shumë ta orientojnë Serbinë drejt një perspektive më pro-perëndimore.” dhe sipas tij amerikanët janë në gjendje t’i tejkalojnë disa veprime të Beogradit për synimin në fjalë.

“Dhe duket se janë të gatshëm të anashkalojnë çështje si represioni në rritje dhe sjellja autokratike e Vuçiqit, sjelljen e Beogradit në planifikimin dhe zbatimin e sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës, si dhe sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës dhe rrëmbimin e tre policëve shqiptarë në veri të Kosovës”, ka thënë Serwer.

Ai vlerësoi gjithashtu se “Uashingtoni nuk kërkon asgjë më shumë nga Ballkani sesa stabilitetin dhe e sheh se Beogradi ka kapacitetin ta destabilizojë situatën.”

“Për këtë arsye është i gatshëm ta anashkalojë sjelljen e Vuçiqit në politikën e brendshme dhe të përpiqet ta bindë për bashkëpunim në çështjet ndërkombëtare, me qëllim që ta pengojë të bëjë atë që mund ta bëjë në çdo moment , të destabilizojë situatën në veri të Kosovës dhe në Republikën Sërpska, e ndoshta edhe në Mal të Zi”, vlerësoi analisti amerikan.

Serwer konsideron gjithashtu se “Brukseli është bërë më i ashpër ndaj Serbisë, ndërsa Amerika, nëse mund të thuhet kështu, është bërë disi më pak e ashpër ndaj Serbisë.”

“Mendoj se për këtë arsye Vuçiqi do të mbështetet më shumë te amerikanët, duke shpresuar se kjo do t’i shtyjë evropianët të kenë një qasje më të butë”, shtoi ai./EO

Shija e redaktorit

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

BookFest rikthehet në Albi Mall: 10 ditë me zbritje speciale,...

Nga 10 deri më 19 korrik, Libraria Dukagjini sjell edicionin e katërt të BookFest, festivalit të librit që tashmë është shndërruar në një pikëtakim...

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Të fundit nga rubrika