Kryesia e degës së Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK) në Gjakovë ka njoftuar sot përmes një deklarate zyrtare shkëputjen përfundimtare të bashkëpunimit dhe koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të udhëhequr në këtë komunë nga Ardian Gjini.

Në njoftim thuhet se vendimi vjen pas një analize të thelluar të realitetit politik dhe institucional në komunë, si dhe për shkak të shkeljeve të rënda të marrëveshjes së bashkëqeverisjes.

“Ky vendim është i pashmangshëm dhe i drejtë, si pasojë e një varg shkeljesh të thella nga partneri ynë politik, i cili ka shpërfillur në tërësi marrëveshjen e bashkëqeverisjes dhe ka vepruar në kundërshtim me parimet e nënshkruara të partneritetit,” thuhet në deklaratë.

Sipas PSHDK-së, Aleanca ka ndërmarrë veprime të njëanshme si:

  • investime joracionale dhe diskriminuese;
  • shpërdorim të buxhetit komunal për interesa klienteliste;
  • shkelje të marrëveshjes në fushat kyçe si arsimi, shëndetësia dhe ndërmarrjet publike;
  • dëmtim të pronës komunale dhe cenim të interesit publik.

PSHDK gjithashtu akuzon partnerin për margjinalizim të përfaqësuesve të saj në institucione, përfshirë drejtorë dhe asambleistë, duke përdorur institucionet për luftë politike dhe jo në funksion të qytetarëve.

“Pas një analize të kujdesshme, të thelluar dhe të bazuar në realitetin politik dhe institucional të komuës sonë, Kryesia e degës së PSHDK-së në Gjakovë, në bashkërendim me strukturat e saj organizative, ka marrë vendimin për të shkëputur përfundimisht bashkëpunimin dhe koalicionin me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të udhëhequr nga Ardian Gjini në këtë komunë.

Ky vendim është i pashmangshëm dhe i drejtë, si pasojë e një varg shkeljesh të thella të marrëveshjes së bashkëqeverisjes – marrëveshje të cilën partneri ynë politik e ka shpërfillur plotësisht, duke dështuar në themel të bashkëqeverisjes dhe duke shkelur çdo parim të partneritetit të nënshkruar bashkë.

Fatkeqësisht, partneri ynë politik ka vepruar në mënyrë të njëanshme e të paarsyeshme, duke ndërmarrë:

– Investime joracionale dhe diskriminuese;

– Shpërdorim të buxhetit komunal për interesa të ngushta klienteliste;

– Shkelje të hapur të marrëveshjes në fushën e ndarjes së buxhetit (pika 3.3), të ndërmarrjeve publike, arsimit, shëndetësisë dhe më gjerë;

– Dëmtim të pronës komunale dhe cenim të interesit publik.

Për më tepër, kemi qenë dëshmitarë të një fushate sistematike dhe të qëllimshme për të njollosur imazhin e partisë sonë përmes margjinalizimit të drejtorëve dhe asambleistëve tanë, duke i shndërruar institucionet publike në vegla të luftës personale dhe jo të shërbimit qytetar.

Partia Shqiptare Demokristiane në Gjakovë mbetet e përkushtuar ndaj qytetarit, ndaj etikës në qeverisje dhe ndaj shtetndërtimit të ndershëm – qoftë në nivelin lokal, qoftë në atë qendror.

Në ditët në vijim, ne do të komunikojmë më gjerësisht me opinionin publik për arsyet e këtij vendimi. Ndërkohë, ju sigurojmë se PSHDK-ja do të vazhdojë me angazhim edhe më të madh në terren, duke ndërtuar një alternativë politike që përfaqëson interesin e qytetarëve dhe jo të grupeve të interesit.

Me respekt,

Kryesia e Degës së PSHDK-së në Gjakovë”, vijon njoftimi.