Për krimet e kryera ndaj popullatës civile në Recak të Shtimes, gjatë janarit e deri në maj të 1999, Ç. A po akuzohet nga Prokuroria Speciale.

Por, përkundër që vendbanimi i tij nuk dihet, ky institucion ka kërkuar që edhe ndaj tij të nisë procesi gjyqësor në Departamentin Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Në aktakuzën e publikuar nga televizioni Publik, thuhet se i pandehuri së bashku me një grup kriminal ende të paidentifikuar, më 15 janar të 1999, në Reçak të Shtimes, i veshur me uniformë policore paramilitare, ushtarake u ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor, e vrasje ndaj popullatës civile shqiptare.

Aty shpjegohet detajisht se si i pandehuri, me disa persona të tjerë, kishin kryer vrasjen e disa banorëve të Recakut, dhe se të njëjtit pasi kishin kryer vrasjen ishin siguruar që të njëjtit kanë vdekur.

“Derisa i moshuari H.B (tashmë i ndjeri) kishte filluar të largohet nga shtëpia e tij dhe po shkonte në drejtim të malit, papritmas i akuzuari me grupin e tij shtënë me armë zjarri në drejtim të tij dhe është goditur menjëherë, që pas disa sekondash H.B (tani i ndjeri), ka rënë për toke i vdekur, pastaj i akuzuari Ç.A, së bashku policët e tjerë, pas 10-15 min janë afruar afër H.B, që ishte i shtrirë dhe e godasin prapë me armë me qëllim që të sigurohen që ka vdekur, pas disa çastesh përsëri i akuzuari së bashku me personat e njëjtë, ka shtënë në drejtim të të moshuarve….”.

Tutje sipas aktakuzës, Ç. A kishte marr pjesë edhe në vrasjen, dënimin e diegien e disa shtëpive ndaj popullatës civile shqiptare, në disa fshatra të komunës së Shtimes.

Ndërkohë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se mirëpret ngritjen e aktakuzave të tilla, meqë Serbia, pavarësisht kërkesave nga Kosova, ka refuzuar bashkëpunimin dhe dorëzimin e të dyshuarve për krime lufte.

“Mendoj se kjo çështje duhet të vazhdojë dmth zbatimin në praktike vonesat sigurisht që janë të pajustifikueshme unë kam pasur komunikim me Prokurorinë speciale ata më kanë shprehur disa brenga që kanë pasur ne i kemi adresuar pa vonesa, brenda një peridhe të shkurtër, çështjet që ata i kanë adresuar dhe tash ka mbetur që të e plotësojnë numrin e prokurorëve për krime lufte”, ka deklaruar Haxhiu.

Ndonëse procedura gjyqësore në rastet kur mungon i akuzuari, nuk dallon shumë nga proceset kur i pandehuri është i pranishëm, sipas avokatit Florim Shefqeti institucionet e drejtësisë do ta kenë të vështirë, që të arrijnë cilësinë e duhur të një gjykimi gjyqësor.

“Ne vlerësojmë se kjo do të rritë efikasitetin e gjykimeve por në përmbajtjen e saj do të lërë paqartësi dhe mungesa ligjore, nga fakti që të pandehurve u është lejuar mundësia që të mos ballafaqohen me drejtësinë, vlen të theksohet që në rastet e gjykimeve të tilla, humbet mundësia e negocimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, për referim të rrethanave lehtësuese, edhe avokatet do ta kenë të vështirë se nuk do të mund të bëjnë deklarime rreth pranimit të fajësisë, edhe në rastet kur të gjitha provat flasin për nevojat e pranimit të fajësisë”, ka thënë Shefqeti.

Aktakuza e parë është ngritur kundër një ish pjesëtari të ushtrisë serbe, nën dyshimet se kishte dhunuar një grua shqiptare, ndërsa legjislacioni ka qenë në fuqi që nga vitit 2019.\