PSRK ngrit aktakuzë për spiunazh ndaj agjentit të BIA-s në Kosovë, Aleksandar Vlajiq
Pos akuzës për sulmin ndaj zyrave të KKZ-së në veri, Aleksandar Vlajiqit nga sot i ngarkohet një akuzë e re mbi supe. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur ndaj tij të premten aktakuzë për “spiunazh” dhe “armëmbajtje pa leje”. Në aktakuzën që Dukagjini e ka siguruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, thuhet se […]
Pos akuzës për sulmin ndaj zyrave të KKZ-së në veri, Aleksandar Vlajiqit nga sot i ngarkohet një akuzë e re mbi supe.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur ndaj tij të premten aktakuzë për “spiunazh” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Në aktakuzën që Dukagjini e ka siguruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, thuhet se Vllajiq si agjent rezident i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, ka mbledhur, incizuar dhe transmetuar të dhëna, dokumente dhe materiale që cenojnë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, dhe të njëjtat ia ka transmetuar BIA-s.
“Fillimisht ka filmuar dhe incizuar fshehurazi lëvizjet dhe automjetet e Policisë së Kosovës dhe të prezencës ndërkombëtare në pjesën veriore të vendit, pastaj ka mbledhur informacione për persona të nacionalitetit serb të cilët kinse janë bashkëpunëtorë të strukturave të sigurisë së Republikës së Kosovës, ka shpalosur identitetin e një zyrtari të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (“AKI-së), të cilin e kishte mësuar gjatë kohës sa kishte qenë pjesëtar aktiv i Policisë së Kosovës”.
Këto informacione, dyshohet se Vllajiq, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike ia ka transmetuar një zyrtari të lartë të BIA-s, emri i të cilit është i mbuluar në aktakuzën e redaktuar që e posedon televizioni.
Por, Dukagjini mëson se bëhet fjalë për shefin e qendrës së BIA-s në Novi Pazar, Ratko Gajtanoviq.
Mirëpo, dërgimi i informacioneve për pozicionet e institucioneve të sigurisë në veri, nuk kishte qenë detyra e vetme e Vllajiqit.
“Kishte krijuar një rrjet informatorësh brenda organizatave ndërkombëtare në Kosovë të stafit vendor nga komuniteti serb, nga të cilët ka kërkuar dhe ka pranuar informacione që ndërlidheshin me çështje politike dhe të sigurisë në vend, dhe të njëjtat, pastaj, përmes formave të lartcekura, ja kishte komunikuar zyrtarit të lartë të BIA-së, çka me këto veprime, i pandehuri ka vepruar në kundërshtim me interesat shtetërore të Republikës së Kosovës, duke dëmtuar rëndë rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare, si dhe ka rrezikuar drejtpërdrejt jetën e zyrtarëve shtetërorë dhe qytetarëve të saj”.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e Vlajiqit më 26 qershor të vitit 2024, Policia kishte gjetur një armë të gjatë e modelit “Crvena Zastava” dhe një sprej gazlotsjellës. Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës në veri, Vlajiq, aktualisht është duke u gjykuar edhe me dy ish-policë të tjerë dhe famëkeqin Millun Millenkoviq, i njohur si “Llune”, për sulmin me granata në objektin e KKZ-së në Mitrovicë të Veriut.















