Publikohet Aktgjykimi që rrëzoi propozimin e Ministres Haxhiu në Sistemin Prokurorial
Aktgjykimi në bazë të së cilit nuk miratohen ndryshimet e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Republikës së Kosovës është publikuar nga Gjykata Kushtetuese, të mërkurën. Në Aktgjykimthuhet se parashtruesit e kësaj kërkese (deputetët e PDK-së dhe të LDK-së), pretendojnë se nenet 13, 16, 18 dhe 20 të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me […]
Aktgjykimi në bazë të së cilit nuk miratohen ndryshimet e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Republikës së Kosovës është publikuar nga Gjykata Kushtetuese, të mërkurën.
Në Aktgjykimthuhet se parashtruesit e kësaj kërkese (deputetët e PDK-së dhe të LDK-së), pretendojnë se nenet 13, 16, 18 dhe 20 të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me nenet: 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Efektive], 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 109 [Prokurori i Shtetit] dhe 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës.
“Parashtruesit e kërkesës kontestojnë kushtetutshmërinë e neneve 13, 16, 18 dhe 20 të Ligjit nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji I kontestuar), miratuar me Vendimin e Kuvendit [nr.08-V-309] të 23 qershorit 2022. Ndërsa, parashtruesit e kërkesës në rastin KO101/22, e kontestojnë kushtetutshmërinë e Ligjit të Kontestuar në tërësinë e tij”, thuhet në aktgjykim.
Tutje thuhet se parashtruesit e kësaj kërkese, ndër të tjera, theksojnë se paragrafi 4 i nenit 110 të Kushtetutës, përcakton që “Përbërja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe dispozitat për emërimin, shkarkimin, mandatin, strukturën organizative dhe rregullat e procedurës, rregullohen me ligj”.
Sipas tyre, ky fakt ka mjaftuar që Qeveria të propozojë dhe Kuvendi të miratojë Ligjin e kontestuar, i cili përveç tjerash, ndryshon përbërjen e KPK-së dhe numrin e anëtarëve të tij, nga trembëdhjetë (13), sa ishte deri më tani në shtatë (7) sosh. Ndërkaq, sipas parashtruesit të kërkesës, arsyetimi i vetëm i këtij ndryshimi substancial të numrit të anëtarëve të KPK-së, në koncept-dokumentin që i ka paraprirë atij ndryshimi, është përmbledhur në një fjali të vetme dhe të shkurtër, përkatësisht “për qëllime të efikasitetit të punës së KPK-së”.
Sipas parashtruesve të kërkesës, në mënyrën se si është përcaktuar zgjedhja e dy (2) anëtarëve jo-prokurorë nga Kuvendi, lehtësisht këta anëtarë mund të emërohen me vetëm tridhjetë e një (31) vota të deputetëve, që si përfaqësim është minimal për emërimin e personave në këtë institucion të rëndësishëm kushtetues.
“Në këtë kontekst, parashtruesit e kësaj kërkese vlerësojnë se zgjedhja e këtyre anëtarëve të KPK-së, duhet të bëhet me ligj, dhe me votat e së paku gjashtëdhjetë e një (61) deputetëve ose me dy të tretat (2/3) e deputetëve që votojnë në procedurën e zgjedhjes së tyre nga Kuvendi. Kjo, sipas parashtruesve të kërkesës do të ishte një garanci për emërimin e personaliteteve me reputacion dhe me integritet profesional, ashtu siç e meriton ky institucion i rëndësishëm kushtetues që përfshin një shtyllë të rëndësishme të sistemit të drejtësisë. Pra, parashtruesit e kësaj kërkese, vlerësojnë se votimi me shumicë të thjeshtë, përkatësisht nga shumica e deputetëve që janë të pranishëm dhe që votojnë, cenon pavarësinë dhe integritetin e këtij organi të pavarur kushtetues, duke i dhënë kështu secilës shumicë parlamentare mundësi të madhe për ndikim dhe kontroll politik mbi anëtarët jo-prokurorë në KPK”, thuhet në shpjegimin e Gjykatës Kushtetuese.
As komentet e Këshillit Prokurorial nuk munguan në publikimin e kësaj akatakuze. Të njëjtit i vlerësuan veprimet e MD-së sikur tendencë për të ndërhyrë në pavarësinë e institucionit.
“Në këtë kontekst, KPK pretendon se “ndërmarrja e veprimeve të njëanshme nga Ministria e Drejtësisë për ta ndryshuar Ligjin nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pa filluar edhe me ndryshimet e tjera në ligjet bazike të sistemit të drejtësisë ashtu siç është paraparë me Strategjinë e Sundimit të Ligjit ka qenë tendencë për të ndërhyrë në pavarësinë e institucionit tonë”, thuhet në aktgjykim.
Ndër të tjera, Kushtetuesja e ka shpallur të pavlefshëm ligjin ngase i njëjti, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata ka konstatuar që dispozita esenciale të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën. Për pasojë, dhe duke marrë parasysh që pjesa tjetër e Ligjit të kontestuar do të ishte vështirë e zbatueshme pas shpalljes së dispozitave të lartcekura si të pavlefshme, Gjykata vlerëson se Ligji i kontestuar, duhet të shpallet i pavlefshëm, në tërësinë e tij”, thuhet në aktgjykim.
Në një konferencë për medie, Haxhiu kishte deklaruar se për Kushtetuesen, më me rëndësi ishte interesi individual sesa ai i përgjithshëm. Ndërkaq, në RTV Dukagjini, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se përbërja aktuale e Këshillit Prokurorial të Kosovës është e padrejtë.
E ftuar në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, ministrja e këtij dikasteri ka theksuar se duke pasur parasysh edhe strategjinë për sundimin e ligjit sikurse edhe shqetësimet e monitoruesve të sistemit të drejtësisë ky dikaster ka vlerësuar se duhet të bëhen ndryshimet në KPK me qellim të uljes së numrit të anëtarëve.
“Duke e konsideruar si një përbërje të padrejtë, si një mos balancim, për faktin se siç është vlerësuar edhe nga Komisioni i Venecias, kemi konsideruar që përbërja prej 10 prokurorëve në një organ i cili ka përgjegjësinë për menaxhimin e sistemit prokurorial, që kanë lidhje të ngushta me njëri tjetrin, pak a shumë nëse e shihni edhe kur janë zgjedhë anëtarët ka pasur reagime të fuqishme nga partnerët tanë…, edhe për mënyrën se si janë bërë pazaret për t’u zgjedhur anëtarët pastaj edhe vetë strategjia për sundimin e ligjit që ka zgjatë diku katër vite ka sugjeruar që të ulet numri. Duke qenë që anëtarët e KPK nuk kanë mandat kushtetues, zgjidhen sipas ligjit, kemi vlerësuar që duhet të bëhen ndryshimet në ligj”, është shprehur ajo.















