“Qytetarë, bashkohuni në protestë”.
Me thirrjen për të ngritur zërin së bashku, protesta e thirrur nga Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës nis për tu drejtuar tek institucioni të cilat ia adresojnë ankesat.
Thirrjes iu përgjigj Muhamet Gashi i cili ka shumë vite karrierë në KEK, e bashkë me to edhe shumë ankesa për kushtet e punës.
“Kemi dalur për ngritje të pagave, çmimi i rrymës është rrit dhe jo ai i pagave. Rryma ma shtrenjtë s’ka ku me shku, zor është bërë me jetu. Ne dolëm e rezultat, s’di sa do ketë”, ka thënë Gashi.
Protesta që nisi në sheshin “Skenderbeu”, pikë ndalese pati Inspektoratin e Punës e më pas, Ministrinë e Ekonomisë.
E tek kjo e fundit, pati ankesa të veçanta, por edhe paralajmërime.
“Ne kemi kundërshtuar si punëtorë sepse ne prodhojmë 29 euro e gjysëm megavat e KEDS bëhet milionerë. Ne ditëve të fundit e kemi pa se jo për të gjithë është rritur çmimi. Krahas inflacionit e tregut të punës, kërkojmë ngritje të pagave e s’do ndalemi deri në realizim”, ka thënë Nexhat Llumnica, kryetari i Sindikata e Re e KEK-ut
Kësaj proteste, iu bashkua edhe Kolektivi Feminist i cili, mbetet i mendimit se ndër shtresat e punëtorëve më të diskriminuar, mbesin gratë.
“Çdo muaj, punëtoret përballen me zgjedhe të pamundura. Të paguajnë qiranë apo të blejnë ilaçe. Të mbushen frigoriferat a të paguajnë rrymë. E kur e ngrisin zërin, u thuhet se duhet të jenë mirënjohës që kanë një punë”, ka thënë Anita Nikaj, bashkorganizatore e protestës.
Gjatë rrugës, protestës iu bashkuan edhe pensionistë, të zhgënjyer nga mosrealizimi i premtimeve nga partitë politike.
“Krejt kjo qeveri kurgjo s’bën për pensionistë. na u bashkangjit krejt për të shprehur pakënaqësitë tona duke marrë parasysh kostot për pensionistët, e pensionet nuk rriten. Çka bën qeveria? Albin Kurti ka premtu shumë për prnsionistët, asgjë s’ka bo qe 4 vjet”, ka thënë një pensionist.
Krahas kërkesave të dëgjuara qartë, protesta përfundoi me mesazhin se pakënaqësia e sotme do të vazhdojë të shprehet derisa të ndryshojë situata.