Transportuesit privatë dhe punëtorët e ndërmarrjes “Trafiku Urban” kanë protestuar para objektit të Komunës së Prishtinës, pasi kanë pezulluar të gjitha linjat e transportit publik.

Trafiku Urban dhe linjat private të transportit publik në Prishtinë kanë ndaluar punën për shkak të bllokadës financiare nga Komuna e Prishtinës.

Një nga punëtorët e linjave të autobusëve tha para mediave se situata është jashtë normales dhe kërkoi falje qytetarëve për ndërprerjen e shërbimit, duke theksuar se nuk po veprojnë me dëshirën e tyre.

“Sot ndodhemi në një gjendje jo normale. Zgjidhja është te ju, të na thirrni në takim për të diskutuar dhe për të gjetur një rrugëdalje. Përmes mediave kërkojmë falje qytetarëve që kemi ndërprerë punën, pasi kjo nuk është me dëshirën tonë. Kryetari i Komunës është i obliguar të na informojë pse ka arritur kjo situatë”, ka theksuar punëtori.

Në një njoftim, ndërmarrja shpjegoi se problemi nuk lidhet me gjendjen e saj financiare, pasi ka bilanc pozitiv dhe stabilitet, por me vonesat e Komunës së Prishtinës në pagesat e saj.