Shoqata Sindikale e Pastrimit ka paralajmëruar grevë publike këtë të enjte, nga ora 07:00, para ndërtesës së Komunës së Prishtinës.

Grevën do ta mbajnë rreth 300 punëtorë të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, të cilët do të tubohen në mënyrë paqësore për të shprehur pakënaqësinë ndaj situatës së rëndë financiare të ndërmarrjes.

Sipas njoftimit, arsyeja e grevës është mos-shlyerja e obligimeve financiare nga Komuna e Prishtinës, që ka çuar ndërmarrjen në vështirësi të mëdha.

Gjatë tubimit do të përdoren rreth 20 kamionë të kompanisë, të cilët do të parkohen pa penguar rrugët emergjente.

“Formati i tubimit: Pjesëmarrës: rreth 300 punëtorë dhe të punësuar të KRM “Pastrimi”; Vendndodhja: përreth objektit të Komunës së Prishtinës, me qëndrim të vazhdueshëm; Do të përdoren rreth 20 kamionë, të cilët do të parkohen në mënyrë të rregullt dhe pa bllokuar rrugët emergjente; Greva do të jetë paqësore, pa ndërhyrje në veprimtarinë e organeve publike, dhe në koordinim me autoritetet policore”, thuhet në njoftim.