Punëtorët e transportit publik paralajmërojnë bllokim të rrugëve në Prishtinë

Punëtorët e “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë kanë paralajmëruar se protesta e tyre do të vazhdojë nesër, me bllokimin e rrugës “UÇK” dhe zonës prapa Teatrit Kombëtar.

Ata thonë se do të bllokojnë hyrjet kryesore të Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë, nëse mjetet financiare nuk alokohen brenda ditës së sotme.

Përfaqësuesi i “Trafikut Urban”, Ilmi Gashi, ka deklaruar se protesta do të kalojë në një fazë më radikale nëse institucionet nuk reagojnë.

“Nesër protesta do të vazhdojë me radikalizmi. Do të bllokohen rrugët në të dyja anët. Pra nëse nuk veprohet sot e nuk dalin mjetet financiare. Në këto momente që po flasim as dje e as sot askush nuk u drejtua as nga Komuna masës së punëtorëve tanë. Sot është afati i fundit për reflektim, në të kundërtën nga nesër i gjithë segmenti rrugor do të bllokohet me të gjithë autobusët me kapacitetin që kemi në Trafikun Urban dhe që nga mëngjesi sindikata do të organizojë protestën nga mëngjesi e deri në mbrëmje dhe këtu nuk do të ketë lëvizje të lirë në funksionimin as të Komunës e as të Qeverisë”, tha Gashi.

Edhe sekretari i sektorit privat të autobusëve, Ismet Haliti, ka bërë thirrje që të kryhen pagesat sa më shpejt, duke theksuar se më së shumti po e pësojnë qytetarët.

“Është dita e 9 e protestës, fatkeqësisht udhëtari dhe qytetari i Prishtinës po vuan njëjtë sikur ne, kështu që bëjmë thirrje te Qeveria dhe Komuna që të reflektojnë dhe brenda ditës së sotit t’i alokojnë mjetet te Komuna dhe Komuna te ne, përndryshe mënyrën e protestës e ndryshojmë nga nesër”, tha Haliti.

Protestat në sektorin e transportit publik në Prishtinë ka hyrë në ditën e nëntë, ndërsa autobusët e transportit publik vazhdojnë të mos qarkullojnë.

Gashi paralajmëron veprime radikale: Nëse ka zvarritje do ta bllokojmë qytetin me autobusët

Të fundit nga rubrika