Punimet ndalen e akuzat shtohen – S’punohet në “Xhorxh Bush”
Punimet për herë të tretë i nisi i bindur se kësaj radhe, nuk ka arsyetim për t’ia ndaluar. Por të njëjtat iu ndërprenë përsëri, këtë herë me arsyetimin se shkeli perimetrin që ruhej me ligj. “S’ka pasur nevojë për shkresë të radhës për vazhdim të punimeve por në formë arbitrare, punimet u ndalën. Procedurat janë […]
Punimet për herë të tretë i nisi i bindur se kësaj radhe, nuk ka arsyetim për t’ia ndaluar.
Por të njëjtat iu ndërprenë përsëri, këtë herë me arsyetimin se shkeli perimetrin që ruhej me ligj.
“S’ka pasur nevojë për shkresë të radhës për vazhdim të punimeve por në formë arbitrare, punimet u ndalën. Procedurat janë përfundu dhe ligjërisht kanë qenë në rregull. Hapat e ardhshëm janë që të ulemi si kryeqytet bashkë me akterët e drejtorive zyrtare e do shohim anën ligjore. A do shkojë me konflikt administrativ apo do të tentohet me inspektoratin të bëhet zgjidhje”, ka deklaruar Donat Lushaku, Zëdhënës i Komunës së Prishtinës.
Gjersa niveli komunal vazhdon kritikat ndaj nivelit qendror, ky i fundit ka vendosur të jap një përgjigje.
Ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati e ka quajtur një rast flagrant të shkeljes së legjislacionit financiar duke deklaruar se komuna, s’ka pasur as buxhetin e nevojshëm.
“Problemi qëndron në faktin se në kodin e projektit në fjalë, në vitin 2024 kanë qenë të buxhetuara vetëm 1.89 milionë euro, nga mjetet vetanake të bartura nga viti paraprak. Pra, Komuna e Prishtinës ka nisur procedurë prokurimi me vlerë 18.4 milionë euro, duke pasur të buxhetuara vetëm 1.89 milionë euro, apo 1/10 e buxhetit të nevojshëm. Ndërkaq pas zhvillimit të procedurës së prokurimit, kontrata është nënshkruar sivjet, që përbën shkeljen e radhës, sepse buxheti i Komunës së Prishtinës megjithëse i miratuar në asamble, për shkak të miratimit me vonesë, ende nuk është miratuar në Kuvendin e Republikës për t’u integruar si plotësim/ndryshim i Ligjit për Ndarje Buxhetore për vitin 2025. Me fjalë tjera, ligji i buxhetit aktualisht në fuqi për vitin 2025, nuk e përmban fare projektin e Sheshit Xhorxh Bush, pra ka 0 euro ndarje buxhetore, por që Komuna e Prishtinës e ka nënshkruar kontratën pavarësisht mungesës së ndarjes buxhetore”, ka theksuar Murati.
Por, deputetja e LDK-së thotë se gjithçka është politike.
“LVV, tash e katër vite përmes pushtetit, nuk ka lënë komunë pa e bllokuar – herë duke ndalur fondet, e herë projektet. Por ngjarjet e ditëve të fundit, me rastin e sheshit “Xhorxh Bush”, nuk janë vetëm kundër Komunës së Prishtinës, por edhe kundër vetë qytetarëve – një skandal më vete. Bllokuesve dhe uzurpatorëve, të cilët paradite dërgojnë letër se gjithçka është në rregull dhe pasdite përdorin policinë për të ndërprerë punimet, duhet t’u thuhet: mjaft! Institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë sa më parë kundër bllokuesve të punëve publike e uzurpatorëve të posteve qeveritare!”, ka deklaruar Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së.
Televizioni është përpjekur të marrë përgjigje edhe nga MKRS, por deri në momentin e publikimit nuk ka pranuar përgjigje.















