Putin bën betimin në një ceremoni të bojkotuar nga Perëndimi

Ceremonia e inaugurimit në Pallatin e Madh të Kremlinit në Moskë u bojkotua nga shumica e vendeve perëndimore, kryesisht për shkak të luftës së tij në Ukrainë

Vladimir Putin u betua të martën si president i Rusisë – për herë të pestë.

Ceremonia e inaugurimit në Pallatin e Madh të Kremlinit në Moskë u bojkotua nga shumica e vendeve perëndimore, kryesisht për shkak të luftës së tij në Ukrainë.

Të pranishëm ishin zyrtarë të lartë rusë dhe personalitete të tjera, por munguan përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja dhe shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Putin, 71 vjeç, ka qeverisur herë si president e herë si kryeministër i Rusisë që nga viti 2000.

Nëse e çon deri në fund mandatin e ri 6-vjeçar, ai do ta tejkalojë udhëheqjen gati 30-vjeçare të diktatorit sovjetik, Josef Stalin, për t’u bërë udhëheqësi më jetëgjatë rus në më shumë se dy shekuj.

Putin garoi në zgjedhjet presidenciale të marsit – kur i fitoi mbi 87 për qind të votave – pasi miratoi një sërë reformash kushtetuese në vitin 2020, të cilat i dhanë mundësinë të garonte edhe për dy mandate të tjera gjashtëvjeçare.

Kjo nënkupton se ai mund të mbetet në pushtet deri në vitin 2036.

Zgjedhjet ruse kontrollohen nga Kremlini dhe nuk janë as të lira e as të drejta, por Qeveria i sheh të nevojshme për të përcjellë një ndjenjë legjitimiteti.

“Ne sigurisht që nuk i konsideruam ato zgjedhje as të lira dhe as të drejta, por ai është president i Rusisë dhe ai do të vazhdojë në këtë cilësi”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, përpara inaugurimit.

Zgjedhjet ishin të parat prej se Putin filloi pushtimin e Ukrainës fqinje në shkurt të vitit 2022. Dy kandidatë që ishin kundër kësaj lufte, nuk u lejuan të konkurronin kundër tij për, siç u tha, çështje teknike.

  • Kundërshtarët e Putinit: Të burgosur, të helmuar, në ekzil
  • Ish-përpiluesi i fjalimeve të Putinit akuzohet për diskreditim të ushtrisë ruse
  • Si u shndërrua Putini në njeriun që është sot, sipas ish-shkruesit të fjalimeve të tij

Ndërkohë, armiku i tij më i madh politik, Aleksei Navalny, vdiq derisa ishte në një burg në Siberi, një muaj përpara se të mbaheshin zgjedhjet.

“Lufta, vrasjet politike, varfërimi i rusëve… Nuk ka prosperitet për Rusinë, nuk ka paqe dhe liri për qytetarët tanë”, shkroi e veja e Navalnyt, Yulia Navalnaya, në një postim në rrjetet sociale, më 7 maj.

“Vendi ynë po udhëhiqet nga një gënjeshtar, një hajdut dhe një vrasës. Por, kësaj padyshim që do t’i vijë fundi”, shtoi ajo.

Pushtimi rus i Ukrainës bëri që marrëdhëniet midis Moskës dhe Perëndimit të bien në nivelin më të ulët që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Aleatët perëndimorë të Ukrainës u angazhuan në mbështetje të saj me armatim e logjistikë, ndërsa Rusinë e ndëshkuan me një sërë sanksionesh.

Duke folur pasi bëri betimin, Putin tha se nuk do ta përjashtonte dialogun me Perëndimin, por, sipas tij, ai do të duhej të zhvillohej në “kushte të barabarta”.

“Ne jemi një popull i bashkuar dhe i shkëlqyeshëm. Së bashku do t’i kapërcejmë të gjitha pengesat, do t’i realizojmë të gjitha planet tona dhe do të fitojmë”, tha Putin.

“Ne besojmë se izolimi i Rusisë, e veçanërisht i liderit të saj kriminal, duhet të vazhdojë”, tha ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, teksa shpjegoi vendimin e vendit të tij për të bojkotuar ceremoninë./REL

Shija e redaktorit

Shtëpia botuese “Dukagjini” shpërndan çmime për fëmijë në Panairin e...

Për katër ditë me radhë një pjesë e shesheve të Prishtinës u është dedikuar fëmijëve. Aty është organizuar Panairi i Librave për Fëmijë. Pjesë e këtij...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka shpërndarë çmime për fëmijë në Panairin...

Sot është dita e katërt e panairit të Librit për Fëmijë që po mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Shtëpia Botuese “<a href="http://<iframe src="https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fdukagjinipublishing%2Fposts%2Fpfbid02YAeQHpvFm2GWcbnSERzYo68YXk5UGMDCBxQE9F8K3qgYvcNjMhYvGvXUUy73mL3Xl&show_text=true&width=500"...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” vjen me ofertë deri në 50 %...

Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë po vjen me edicionin e dytë me radhë, andaj një festë e madhe po përgatitet për të...

Të fundit nga rubrika