Pyetja se sa gjatë do të mund t’i rezistojë Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, presionit për të shpallur zgjedhje është “pyetja e një milion dollarëve”, thonë bashkëbiseduesit e gazetës Danas.

Presionet janë të forta, intensive dhe nuk po ndalen, pavarësisht verës, temperaturave të larta dhe zakonit që shumë qytetare e qytetarë të pakënaqur janë në pushimet vjetore.

Pas protestës së 28 qershorit në Ditën e Vidovdanit, regjimi i Vuçiqit është përballur me bllokada dhe barrikada në mbarë Serbinë, të cilave nuk ka mundur t’u përgjigjet ndryshe përveç me ndërhyrje brutale të policisë.

Mijëra njerëz janë arrestuar, ndaluar dhe janë përballur me represion të tmerrshëm policor.

Bashkëbiseduesit e Danas janë të një mendjeje se Vuçiq nuk do të mund të rezistojë gjatë. Ata theksojnë se ai tashmë e ka humbur për vete momentin më të përshtatshëm për të shpallur zgjedhje – gjatë verës.

“Zgjedhjet deri në fund të vitit”

“Është pyetja e një milion dollarëve. Të gjithë ata që duan ndryshim në Serbi pyesin veten se sa gjatë mund të përballojë Vuçiq pa i shpallur zgjedhjet,” thotë për Danas avokati Siniša Nikolić, shefi i kabinetit të kryeministrit të vrarë Zoran Gjingjić.

“Mendoj se edhe ai vetë e di këtë,” thekson ai.

– Gjithashtu, më duket se po mendon se ka humbur rastin të shpallë zgjedhje gjatë verës, kur njerëzit janë në pushime dhe nuk janë të pranishëm në numër aq të madh sa të ndikojnë në ndryshim – shton Nikolić.

Sipas tij, ky moment ka kaluar dhe afatet e ardhshme janë shtatori ose tetori, kur qytetarët kthehen në shtëpi dhe pritet të dalin edhe më masivisht në rrugë.

– Mendoj se nuk mund ta shmangë shpalljen e zgjedhjeve… Ka gjasa që Bashkimi Evropian do të shtojë presionin për zgjidhjen e krizës, pasi në shoqëritë normale, zgjidhja e krizës janë zgjedhjet – thotë Nikolić.

Vuçiq po përpiqet të rrisë popullaritetin e tij dhe të partisë… ai po inauguron punë infrastrukturore, po viziton vendbanime… po inkurajohet përmes veprimeve të policisë dhe shërbimit të inteligjencës BIA. Por, do të detyrohet të shpallë zgjedhje. Do të përpiqet të gjejë një afat që u shkon për shtat më së paku atyre që duan ndryshime. Ndoshta do të përpiqet të zgjasë deri në nëntor, kur është ndonjë festë. Nëse e humb edhe këtë rast, atëherë do të synojë fundin e dhjetorit, kur njerëzit merren me çështje private dhe nuk mendojnë për zgjedhjet – shprehet bashkëbiseduesi.

Pra, konkludon ai, askush nuk mund ta thotë me siguri kur do t’i shpallë Vuçiq zgjedhjet, por “besoj se do të mbahen deri në fund të vitit”.

Presidenti i Serbisë ka përsëritur disa herë se nuk do të shpallë zgjedhje deri në fund të vitit 2026, ose në fillim të vitit 2027.

“Unë do ta ktheja pyetjen: Çfarë duhet të bëjë shoqëria e rebeluar ndërkohë që Vuçiq ‘reziston’?”

Sipas Miodrag Jovanović, profesor në Fakultetin Juridik në Beograd dhe themelues i iniciativës ProGlas, është e vështirë të përgjigjesh se sa mund të përballojë Vuçiq presionet për zgjedhje.

– Sepse një gjë është të përballosh presione në një demokraci kushtetuese dhe krejt tjetër në një regjim të pushtetit personal. Po të ishte Serbia kjo e para, jo vetëm që tashmë do të ishin shpallur zgjedhjet, por ato do të ishin të lira dhe të ndershme. Fatkeqësisht, Serbia është nën sundimin autoritar të Aleksandar Vuçiqit, ndaj nuk mund të thuhet me siguri sa do të ‘rezistojë’, dhe edhe nëse shpallen nesër, nuk do të ishin të lira dhe të ndershme – thotë ai për Danas.

– Unë do ta ktheja perspektivën dhe do të pyesja se çfarë duhet të bëjnë segmentet e shoqërisë së rebeluar ndërkohë që Vuçiq “reziston”, shton ai.

– Pa dyshim, duhet të vazhdojnë me presionin dhe të zgjerojnë zonën e rebelimit. Kjo tashmë po ndodh me një decentralizim gjithnjë e më të madh të protestave dhe përfshirjen sërish të profesioneve të ndryshme (avokatë, bujq, etj.). Kjo ia lehtëson barrën studentëve dhe universiteteve që kanë mbajtur barrën më të rëndë deri tani. Aktorët politikë – opozita parlamentare dhe grupet lokale qytetare – duhet të përgatisin infrastrukturën e tyre për zgjedhjet e ardhshme dhe të sfidojnë legjitimitetin e pushtetit në komunitetet lokale (siç ndodh tani në Užicë) – thekson Jovanović.

Ai shton se ProGlas do të vazhdojë të inkurajojë dhe motivojë qytetarët për rezistencë.

– Po përgatitet gjithashtu, në bashkëpunim me organizatat e diasporës, për një fushatë të madhe mobilizimi të qytetarëve tanë jashtë vendit. Duhet gjithashtu të rinovohet dialogu me qytetarët për masat që do të ndërmerren “ditën pas rrëzimit të regjimit”. Së fundi, që ky front i gjerë të jetë sa më efikas, është e dëshirueshme një komunikim më intensiv dhe dypalësh midis të gjitha segmenteve të angazhuara të shoqërisë së rebeluar. Sepse pyetja e vërtetë nuk është kur do të mbahen zgjedhjet, por si do t’i presim ato. Shpresoj që të jemi të përgatitur si për atë ditë, ashtu edhe për ditën pas saj – përfundon bashkëbiseduesi i Danas.