Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, e ka dënuar sulmin kriminal ndaj Policisë së Kosovës në veri, ku mbeti i vrarë një polic dhe një tjetër u plagos.

Ai në “Five” të RTV Dukagjinit tha se ky sulm ishte planifikuar mirë nga grupet kriminale, sipas tij, të dirigjuar nga Serbia. Ai tha se nuk ka qenë rastësi që sulmi ka ndodhur afër manastirit, sepse përveç vrasjes, ata kanë tentuar që incidenti të lidhet me manastirin.

Qalaj u shpreh se Njësia Speciale e Kosovës është dashur të reagojë më shpejt në këtë rast.

“Policia e Kosovës është dashur që njësitet speciale të saj të jenë të angazhuara pak më shpejt. Kriminelët e kanë zgjedhur në mënyrë të kujdesshme lokacionin që është afër manastirit, është e ndishme intervenimi në manastir, planifikimi ka qenë që jo vetëm të vritet polici, por edhe të shkaktohet edhe një incident që lidhet me kisha e manastira që do të diskutohej në këshill të sigurimit”, tha ai.