Qalaj: LVV-ja qëllimisht po dëmton interesat e vendit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje qëllimisht nuk po e zhbllokon situatën në Kuvend. Sipas tij, LVV-ja qëllimshëm po dëmton interesat e vendit. “Çdo shtyrje e konstituimit është dëm i madh i vendit dhe siç po shihet nuk ka vullnet që situata të zhbllokohet nga VV-ja. Është veprim […]
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje qëllimisht nuk po e zhbllokon situatën në Kuvend.
Sipas tij, LVV-ja qëllimshëm po dëmton interesat e vendit.
“Çdo shtyrje e konstituimit është dëm i madh i vendit dhe siç po shihet nuk ka vullnet që situata të zhbllokohet nga VV-ja. Është veprim i qëllimtë për të dëmtuar interesat e vendit”, ka thënë ai para nisjes së seancës.
Deputetët do të mblidhen sot për të 42-tën herë më radhë në tentimin për të konstituar Kuvendin e Kosovës.
Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi nuk ka vazhduar me pikën e radhës që është votimi i kryetarit të ri dhe nënkryetarëve për shkak të kundërshtimit të partive që kanë qenë në opozitë për votimin e fshehtë.
Komisioni që mundëson votimin e fshehtë nuk po mbështetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo çështje është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka dhënë aktgjykimin e saj, por i njëjti po interpretohet në mënyra të ndryshme nga subjektet politike.
Gjykata Kushtetuese i ka obliguar deputetët me aktgjykim që brenda 30 ditësh t’i japin zgjidhje konstituimit të Kuvendit.
PDK dhe LDK iu kanë drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese që të sqarojë nëse seancat e fundit kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën. Gjithashtu, edhe presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se së shpejti do t’i drejtohet Kushtetuese se cilat janë masat që duhet të merren nëse nuk konstituohet Kuvendi deri më afatin e paraparë prej një muajsh.















