Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka vlerësuar se puna e policëve është ndër profesionet më të vështira dhe më pak të vlerësuara në vend.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online ka theksuar se kjo kategori meriton trajtim të veçantë institucional për shkak të rrezikshmërisë dhe përgjegjësisë që bart.
“Puna e policëve është një punë shumë e vështirë, një punë shumë me vështirësi, një punë që fare pak çmohet nga populli i Kosovës, e mos të flasim nga institucionet e Kosovës. Të mos harrojmë që nëse një punë ka rrezikshmëri, është puna e policisë dhe e policëve, të cilët shërbejnë 24 orë, janë në shërbim të popullit të Kosovës, janë në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Dhe mendoj që duhet një trajtim i veçantë për këtë kategori të rëndësishme të vendit. Mendoj që ata kanë shumë vështirësi, sidomos gjatë këtyre 4–5 viteve të fundit, e që nuk është dashur të kenë. E kam fjalën për çështjen e pajisjeve, me çështjet logjistike, duke filluar nga uniforma e deri te pajisjet elementare që u duhen për punë”, ka thënë Qalaj.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se nuk është e lehtë për policët kur ende diskutohet mungesa e këpucëve, uniformave e paisjeve të tjera logjistike.
“Mendoj që Policia e Kosovës ka kaluar një periudhë mjaft të vështirë për shkak se edhe nga aspekti emocional, nuk është e lehtë për një polic kur flitet nëpër studio televizive për mungesën e këpucëve, e uniformave, për mungesën e fotokopjuesve, për mungesën e pajisjeve e pjesëve për vetura dhe të gjitha pajisjeve elementare që atyre u duhen për punë. Dhe pastaj, cili është motivi? E kemi një situatë jo të mirë sa i përket mirëqenies së tyre”, deklaroi Qalaj.
Duke folur për pagat e punonjësve që paguhen nga buxheti i Kosovës, Qalaj u shpreh i pakënaqur me nivelin aktual të tyre, duke ia atribuar këtë edhe rritjes së kostos së jetesës dhe inflacionit.
“Po, fillimisht më lejoni të them që unë nuk jam i kënaqur fare me asnjë kategori që merr pagë nga buxheti i Kosovës, meqenëse kemi një jetë shumë të shtrenjtë, kemi një degradim të situatës ekonomike në vend, kemi një inflacion shumë të lartë dhe mendoj që Qeveria e Kosovës ka dështuar sa i përket trajtimit të punonjësve të institucioneve të Kosovës, e sidomos kur flasim për Policinë dhe Ushtrinë. Mendoj që pagat janë mjaft të ulëta. Puna e policisë është e tillë që kërkon punë të vazhdueshme, jo vetëm gjatë orarit të punës, mirëpo edhe më shumë, dhe nuk kanë mundësi ata që të merren me ndonjë punësim të dytë apo ndonjë aktivitet tjetër”, ka deklaruar ish-drejtori i Policisë së Kosovës.
Qalaj foli edhe për përgjegjësinë e menaxhmentit të Policisë së Kosovës, duke thënë se drejtuesit duhet të jenë më aktivë në sigurimin dhe menaxhimin e buxhetit.
“Drejtori i Policisë dhe stafi i tij duhet të luftojnë, të kërkojnë vazhdimisht nga ministri përkatës, nga Qeveria, buxhet shtesë dhe pastaj atë buxhet ta trajtojnë si duhet, t’i zhvillojnë procedurat e prokurimit si duhet dhe me kohë, e të mos lejojnë që polici të jetë pa uniformë për 4–5 vite. Ne e pamë tani që, me sa duket, fatmirësisht është nënshkruar një kontratë për uniformat e Policisë, mirëpo gjendja e tyre ka qenë e mjerueshme. Dhe duhet kërkuar përgjegjësi te secili individ i cili nuk është në gjendje t’i kryejë detyrat ashtu siç duhet”, ka thënë Qalaj.