Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka vizituar dhomën operative për monitorimin e procesit zgjedhor në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ku është pritur nga Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula.
Gjatë vizitës, Qalaj u informua nga afër për punën dhe angazhimin e kësaj dhome operative, e cila ka për detyrë monitorimin e procesit zgjedhor dhe mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, njofton Dukagjini.
Me këtë rast, Qalaj falënderoi dhe inkurajoi koordinatoren Pula dhe stafin e angazhuar në dhomën operative për përkushtimin e tyre në ruajtjen e integritetit dhe ligjshmërisë së procesit zgjedhor.
Sipas njoftimit, në dhomën operative është i pranishëm edhe një zyrtar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), i cili po monitoron rastet penale që mund të paraqiten gjatë ditës dhe që lidhen me procesin zgjedhor.